“Rritja e bashkëpunimit rajonal është një prej prioriteteve të Kosovës”

1 javë më parë

“Rritja e bashkëpunimit rajonal është një prej prioriteteve të Kosovës”

Fondi i Ballkanit Perëndimor ka mbajtur sesionin informues në Prishtinë, në kuadër të Thirrjes së Parë për Projekt Propozime Rajonale. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme,  Rejhan Vuniqi ka vlerësuar se bashkëpunimi rajonal ndërmjet shteteve, mbi të gjitha ndërmjet shoqërive dhe qytetarëve është imperativ i  kohës dhe objektiv kryesor i çdo nisme rajonale.

Ajo ka shprehur konsideratat më të larta për punën që Fondi i Ballkanit Perëndimor me Seli në Tiranë, po bën në këtë drejtim, transmeton AktivPress.

“Mbështetja e madhe dhe modelet e shkëlqyeshme të bashkëpunimit që vendet e Vishegradit po japin për rajonin tonë, po prodhojnë rezultate të prekshme, duke ndikuar në avancimin e rrugës së përbashkët integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt familjes së madhe evropiane”, ka thënë Vuniqi, duke shtuar se Fondi i Ballkanit Perëndimor është një prej nismave rajonale, e cila po jep rezultate konkrete në rajon, si një Fond që po shndërrohet në promovues të bashkëpunimit.

Sipas Vuniqit, rritja e bashkëpunimit rajonal është një prej prioriteteve të politikës së jashtme të Kosovës.

“Në këtë kontekst, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë rol proaktiv dhe do të mbështesë çdo nismë dhe projekt, që i shërben këtij synimi”, ka thënë ndër të tjera Vuniqi, ndërsa ka rikujtuar se llogoja zyrtare e Fondit, është dizajnuar nga Shpat Komoni, i cili ka fituar në konkurrencë shumë të fortë me dizajnues nga mbarë rajoni.

Fondi i Ballkanit Perëndimor është një iniciativë ndërqeveritare, e themeluar nga Palët Kontraktuese të BP6 (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi) njëherësh është edhe iniciativa e parë rajonale me seli në Tiranë./AktivPress