2 muaj më parë

Rrëfimi i Rohanit për Urën e Ibrit dhe rruga e gabuar që ndoqën politikanët e Kosovës

Rrëfimi i Rohanit për Urën e Ibrit dhe rruga e gabuar që ndoqën politikanët e Kosovës

Në vitet e para të pavarësisë, ish-zv/kryenegociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan, qe ftuar në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës. Ishte nëntori i vitit 2009, kur austriaku që e njeh mirë realitetin në Ballkan, pati rrëfyer para deputetëve dhe politikanëve të rangut më të lartë të shtetit, rrugëtimin që kishte bërë nëpër Kosovë prej vitit 1989 e deri në kohën kur bashkë me Martti Ahtisaarin e kishin futur në pako, propozimin për statusin final të Kosovës. U pati treguar për bisedat që kishte zhvilluar me ish-presidentin Ibrahim Rugova, për kontaktet me luftëtarët dhe udhëheqësit e UÇK-së, dhe jo pa qëllim pati zgjedhur t’u tregonte edhe për një ngjarje që kishte ndodhur në vitin 1999.

Nga fundi i verës së atij viti, bashkë me publicistin Veton Surroi dhe diplomatin Jan Kickert kishin shkuar në Mitrovicë. Tek Ura i Ibrit, e cila ishte mbyllur pas dëbimit të shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit, ishte takuar me komandantin e KFOR-it francez. I kishte thënë që sa më shpejt ta mundësonte lirinë e lëvizjes nga të dyja anët e qytetit, pasojat do të ishin më të vogla. “E kisha parasysh Urën e Mostarit dhe faktin se në rajon ndarjet e tilla po bëheshin të përhershme”, rrëfente asokohe Rohan. Mirëpo, siç thoshte ai, gjenerali i KFOR-it e kishte strategjinë e vet, rezultatet e së cilës po ndihen ende.

Një diplomat si ai nuk mund t’u thoshte në mënyrë eksplicite atyre që po e dëgjonin se Kosova tash ishte shtet dhe sa më shpejt që do t’i thyenin muret e brendshme, aq më të vogla do të ishin dëmet. Mbase, ngaqë foli në anglishte dhe me përkthim, nuk e kapën si duhet mesazhin, mbase mund të ishin edhe 100 arsye të tjera, sidoqoftë fjalët e tij kaluan shpërfillshëm nga i gjithë brezi politik i asokohshëm. Politikanët e Kosovës, pa i mbushur dy vjet nga ky fjalim, zgjodhën të hyjnë në bisedime të reja me Serbinë.

Ndonëse me Rezolutë u vunë vijat e kuqe për temat që nuk duheshin hapur në Bruksel, në praktikë ndodhi e kundërta. Një lidership që kishte pranuar t’i ndërtonte institucionet e përkohshme vetëqeverisëse duke i lënë jashtë administrimit tri komunat që shtrihen në veri të vendit dhe gjysmën e qytetit të Mitrovicës, zgjodhi t’i hyjë procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, pa e vënë si parakusht kërkimfaljen për krimet dhe dëmet që i janë shkaktuar Kosovës dhe pa kërkuar që fillimisht të zbardhej fati i personave të zhdukur gjatë luftës.

Përgjatë shtatë vjetësh bisedime, bartësi kryesor i këtij procesi është ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, herë si kryeministër, herë si kryediplomat, e herë si president. Në këto shtatë vjet dialogu politikë e teknik, Kosovës iu hoq republika dhe iu vu fusnota, Mitrovicës iu betonua ndarja, strukturave paralele serbe iu sigurua financim i qëndrueshëm, një miniqeveri “fiktive” u krijua për serbët e veriut dhe po të njëjtëve iu dha e drejta për krijimin e një republike brenda shtetit, e cila sot do të ishte e jetësuar sikur të mos kundërshtonte Gjykata Kushtetuese.

Udhëheqësit e Kosovës pranuan t’i merrnin regjistrat kadastralë nga Serbia jo në origjinal por në kopje; pranuan ta krijojnë Qeverinë me ministra të deleguar nga Serbia pavarësisht se nuk e njohin shtetin e Kosovës; pranuan që serbët ta thyejnë rendin kushtetues sa herë që duan, praktikisht lejuan Serbinë të përzihet “këmbë e krye” në rregullimin e brendshëm politik e urban të Kosovës! E gjithë kjo i ka kontribuar faktorit politik serb për t’u promovuar si faktor përcaktues i së ardhmes së Kosovës. Dëmet tashmë janë shkaktuar, vetëm pasojat pritet cilat do të jenë.

Thirrjet e vona të presidentit të shtetit për një unitet të spektrit politik para marrëveshjes finale me Serbinë, janë shqetësuese. Ai tashmë nuk po e fsheh se Kosova është para kompromiseve të reja – të dëmshme, ndonëse kapitulli i kompromiseve me Serbinë ishte mbyllur pas bisedimeve në Vjenë me miratimin e Planit të Ahtisaarit. Është normale që kur e hap këtë kapitull, sa më shumë që i afrohesh pikës finale të një marrëveshjeje të re, të nxehet koka e të zihet fryma. Askush nuk ka mandat që të luajë me kufijtë e shtetit. Për një president është e pafalshme përpjekja për ta relativizuar çfarëdo kompromisi të Kosovës me gjoja kompromisin që mund ta bëjë Serbia për Kosovën. Serbia mund të hiqet si viktimë dhe të ankohet se po i imponohet të bëjë kompromise për diçka që nuk është e saj, por Kosova kurrë nuk mund të hiqet triumfuese duke bërë kompromise për atë që është e saj.

Është e vërtetë se bota nuk sillet rreth nesh, siç po na rrëfen tash presidenti, por e vërteta tjetër është se bota nuk mund të na mësoj përjetësisht se si duhet t’i kryejmë punët tona. Nëse tash po frikësohemi se mos Amerika është lëkundur nga qëndrimi kundër ndarjes së Kosovës, fajin duhet kërkuar brenda nesh. Sikur përgjatë një dekade pavarësie të hiqeshin muret që e ndajnë Kosovën nga brenda, të zhvillohej një politikë proaktive në aspektin e fuqizimit të subjektivitetit shtetëror dhe sikur të mos lejohej Serbia ta kontrollonte shtetin në mënyrë sistematike me anë të strukturave të saj, dialogu do të zhvillohej në tjetër frymë dhe nuk do të na sillte në këtë pikë. Për t’i shmangur pasojat e mëdha, lidershipi i Kosovës duhet t’i ndërpresë bisedimet me palën serbe, derisa në tavolinë të mos ulen edhe përfaqësuesit amerikanë. Në të kundërtën, rrezikojmë që ndarjet e përkohshme t’i kthejmë në ndarje të përhershme, apo rrezikojmë të përfundojmë në një shtet tërësisht jofunksional.