Robotët vrasës, tashmë edhe film për ndalimin e tyre

1 javë më parë

Robotët vrasës, tashmë edhe film për ndalimin e tyre

Tashmë ekziston teknologjia për të krijuar armë autonome, që mund të përzgjedhin dhe vrasin njerëzit pa mbikëqyrje njerëzore, ndërsa shtohet gjithnjë e më shumë presioni mbi OKB-në që të ndalojë këto armë.

Këtë mesazh alarmant jep filmi “Robotët e masakrës”, i realizuar nga aktivistët që luftojnë për t’i ndaluar ato. Filmi paraqet një të ardhme brutale. Një dron i vogël autonom bie në duart e gabuara dhe kushdo është në rrezik.

Sigurisht që skenat e filmit janë të gjitha fantazi, por fatkeqësisht teknologjia për armë të tilla është reale. Filmi i shkurtër është përpjekja më e fundit e aktivistëve dhe shkencëtarëve të shqetësuar, për të theksuar rreziqet e armëve autonome që mund të gjejnë, diktojnë dhe hapin zjarr mbi objektiva pa mbikëqyrje njerëzore.

Sipas ekspertëve, ndalimi i kësaj teknologjie është i nevojshëm urgjentisht për të parandaluar krijimin e armëve të frikshme të shkatërrimit në masë. Shkencëtarë të shumtë thonë se, teknologjia e treguar në film është reale dhe se të ndërtosh armë autonome, tashmë është më e lehtë sesa të ndërtosh makina pa shoferë.

Ushtritë në botë jabnë financuesit më të mëdhenj të inteligjencës artificiale dhe ekspertët paralajmërojnë se, nëse një dron i vogël mund të bëjë dëme të tilla, imagjinoni se ç’mund të bëjë një tank, nëndetëse apo avion autonom.

OKB-ja ka marrë mesazhe nxitëse që të ndalojë armët autonome nga krerët e teknologjisë, si Elon Musk, shefi i “Tesla”-s dhe “Space X”; apo Mustafa Suleyman, themeluesi i njësisë së inteligjencës artificiale te kompania “Alphabet”.

Deri tani, 19 vende kanë kërkuar ndalimin e armëve autonome, përfshirë Argjentinën, Egjiptin dhe Pakistanin. Fatkeqësisht, superfuqi si SHBA, Kina, Rusia, Mbretëria e Bashkuar e të tjera po punojnë për sisteme që i japin më shumë autonomi luftarake makinave.

OKB lëviz me ritmin e një ajsbergu dhe aktorët që kanë interesa të tjera e pengojnë në çdo hap, por aktivistët, të mbështetur fuqishëm nga komuniteti shkencor, nuk do të pushojnë derisa të ndalojnë armët autonome, pasi alternativat janë shumë të frikshme./TCh