3 muaj më parë

Rinegociim i rrezikshëm

Rinegociim i rrezikshëm

Dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së është zhvilluar tash e disa vjet nën moton e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kohët e fundit synimi është riformuluar si marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obligative për të dyja palët. Tash që prej Presidentit dhe rrethi të tij po përmenden mundësitë e kompromiseve të rënda, madje s’po kundërshtohet qartë as mundësia e riaranzhimit të kufijve, duket sheshit se po hyhet në një proces të rrezikshëm të rinegociimit të çështjes së Kosovës.

Kosova ka bërë kompromiset e rënda e të dhimbshme në procesin e Vjenës/Ahtisarit, duke u dhënë serbëve e pakicave të tjera të drejta kushtetuese të pakundshoqe. Mbi këtë bazë është bërë shpallja e pavarësisë së Kosovës, e koordinuar me miqt dhe mbështetësit ndërkombëtarë, më 2008. Pavarësia e Kosovës me këtë zgjidhje është njohur nga më shumë se 100 shtete, duke përfshirë nga 3 prej 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nga shumica dërmuese e vendeve të BE-së.

Çfarëdo rinegociimi, të cilin faktikisht establishmenti pushtetor po e paraqet të pashmangshëm, ndonëse nuk e quan ‘rinegociim’, është i papranueshëm sepse në thelb e konteston shtetësinë e Kosovës dhe e komprometon luftën e popullit të Kosovës për liri, demokraci e pavarësi. Republika e Kosovës do të bëhej shtet tërësisht jofunksional nëse preken kufijt e saj dhe karakteri unitar i shtetit. Këtë s’ka të drejtë ta bëjë askush. Kjo tendencë e rrezikshme duhet të kundërshtohet me veprime nga të gjitha forcat politike, në radhë të parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia shtetformuese dhe forca politike më e madhe në vend, por edhe nga shoqëria e Kosovës në përgjithësi.