2 muaj më parë

Reflektim: Pavarësia e Mbikqyrur e Dr. Jak Gjergjit!

Reflektim: Pavarësia e Mbikqyrur e Dr. Jak Gjergjit!

Artikulli i parë “Pavarësia e Mbikëqyrur e Dr. Jak Gjergjit e publikuar ditë më parë, ka nxitur reagime të ndryshme, kryesisht verbale të disa qytetarëve klinas. Në mesin e tyre edhe të disa bashkëveprimtarëve shumëvjeçar të babës Jak; miqve e dashamirëve të babës dhe të familjes tonë.

Është fjala për reagimin e njerëzve që ishin prezent në Tubimin me Qytetarë, të mbajtur në atë kohë në sallën e sporteve të Gjimnazit “Luigj Gurakuqi ” në Klinë, ku morën pjesë ish Administratori Petersen dhe ish kryeministri Kosumi.

Dashamirëve tanë u kujtohet rrjedha e zhvillimeve në atë tubim dhe diskutimi dhe ideja e Dr. Jak Gjergjit për Pavarësinë e Mbikqyrur; por që ka kaluar pa asnjë reagim që ka mundur të jetë dëgjuar nga të pranishmit në publik. Lidhur me akuzën konkrete, ata pohojnë se asnjëra nga fjalët e thëna kundër Dr. Jak Gjergjit e që janë shënuar në artikullin e përmendur, nuk janë dëgjuar nga pjesëmarrësit e tubimit, prandaj thjeshtë thënë ato janë të panjohura për ata.

Ato fjalë e akuza e veçmas ajo e ish kryetarit të Komunës së Klinës në Qeverinë e Përkohshme z. Ramadan Krasniqi, jo vetëm që janë të panjohura, por edhe të pabesueshme për ta. Nëse për një çast e kujtojmë të kaluarën e përbashkët, thonë miqtë tanë, janë një mori faktesh që tregojnë raportet shumë të mira në mes të Dr. Jak Gjergjit dhe z. Ramadan Krasniqi.

Raporte të angazhimit të përbashkët për çështjen kombëtare dhe të Pavarësisë së Kosovës, raporte të shoqërimit të mirëfilltë, të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë. Nuk mund të gjendet çoftë edhe një rast i vetëm i ndonjë mosmarrëveshje e aq më pak far kërcënimi ndërmjet tyre.

Duke u nisur nga vlerësimi dhe respekti për miqtë dhe reagimet e tyre në shenjë reflektimi, po e botoi këtë shkrim shtesë për temën e njëjtë, që aspak nuk e zbeh kontributin e babait tim Jakut për Pavarësinë e Kosovës.

(Qëndrimet të shprehura nëpërmjet opinioneve nuk ndërlidhen me qëndrimet e redaksisë)