Reçica siguron mbështetje nga gjermanët për avancimin e projekteve për punësim

4 ditë më parë

Reçica siguron mbështetje nga gjermanët për avancimin e projekteve për punësim

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica po qëndron në një vizitë zyrtare në Gjermani.

I shoqëruar nga Shefi i Misionit Diplomatik të Kosovës në Stuttgart, Blerim Canaj, ai u prit në takim pune nga ministrja e shtetit të Landit të Baden Württemberg-ut, Theresa Schopper, njofton MPMS, transmeton AktivPress.

Gjatë takimit, ministri Reçica falënderoi Schopper për mbështetjen që Gjermania po i jep Kosovës, e në veçanti Landi i Baden Württemberg-ut, me projekte konkrete për përfshirjen e të rinjve nga Kosova, si një garancë për zbutjen e papunësisë përmes edukimit të kuadrove në profesionet që kërkon tregu i punës në Kosovë dhe Bashkimi Evropian.

Schopper konfirmoi gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën, qoftë përmes migrimit qarkor, aftësimit profesional të të rinjve, por në të ardhmen edhe me investime direkte nga ndërmarrjet gjermane.

Ajo u zotua se në bashkëpunim me ministritë relevante do të mbështesë iniciativat që kanë të bëjnë me Kosovën, si në rrafshin e bashkëpunimit socio-ekonomik, po ashtu edhe në planin politik, duke mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.​/AktivPress/