Realizohet dokumentar për dronin në Beograd

2 javë më parë

Realizohet dokumentar për dronin në Beograd

“Droni” i famshëm i ngritur mbi stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë në tetor të vitit 2014, tashmë është kthyer në një dokumentar.

Një bashkëprodhim mes dy regjisorëve shqiptaro-amerikanë dhe një regjisori e producenti amerikan, respektivisht Kreshnik Jonuzi e Luftar Von Rama dhe Charlie Askew, pritet të ketë premierën e tij në Varshavë të Polonisë, e në qendër të tij do të jenë ngjarjet dramatike të ndodhura në njërën prej ndalesave të udhëtimit europian të Shqipërisë, me destinacionin përfundimtar “Euro 2016” në Francë.

Në një rrëfim për “BIRN”, Jonuzi shprehet se bashkëprodhuesit mendojnë se futbollistët kuqezi përfaqësonin diçka më shumë sesa thjesht të qenit profesionistë në futboll, ndaj dhe donin ta ndanin këtë mesazh me audiencën që do të ketë filmi i tyre.

“Ata ndienin nevojën për të përmbushur fatin e paraardhësve të tyre, në mënyrë që t’u tregonin të gjithëve se çfarë mund të arrinin shqiptarët nëse janë të bashkuar. Ekipi im dhe unë kemi parë pikërisht këtë gjë në atë histori, që prej fillimit të saj”, thotë Jonuzi.

Filmi ishte titulluar fillimisht “Betejë në Ballkan”, por gjithçka u ndryshua pas ngjarjeve të tetorit të vitit 2014, kur ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe Serbisë u përballën me njëra-tjetrën në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në atë që ishte thjesht një ndeshje kualifikuese për në Europian.

Ndeshja u përfshi nga kaosi, kur një dron që mbante një skicim të Shqipërisë së Madhe fluturoi mbi fushën e blertë, duke irrituar tifozët e pranishëm serbë dhe futbollistët e kombëtares serbe. Pas kësaj ngjarjeje, Jonuzi thotë se vendosën t’ia ndryshonin titullin filmit, në “Triumf”, në homazh të ndjenjave që ngjalli ai episod kontrovers.

“Ishte një moment triumfues, jo aq rreth fitores apo humbjes së një takimi, por më shumë një triumf i brendshëm. Secili prej atyre djemve në fushë kishin faktorët e tyre motivues, por njëri prej tyre ishte ndjenja për të triumfuar”, shpjegon Jonuzi.

Sa i përket punës mbi këtë dokumentar, regjisori shqiptaro-amerikan Jonuzi tha se “ishte si të ndërtoje diçka në një avion në lëvizje”.

“Ty të vjen një ide dhe nis planet për të ardhmen, por kurrë nuk e di se ku do të përfundosh”, deklaron Jonuzi.

Shfaqja e atij droni në stadium dhe incidentet që pasuan, u kthyen në një goditje globale për audiencën e gjerë botërore joshqiptare.

“Për ne, droni ishte thjesht mjeti. Historia e vërtetë ishin ata lojtarë dhe motivimi i tyre: shkaku se përse ata kujdesen kaq shumë rreth të qenit shqiptarë. Pikërisht këtë tentuam të eksploronim. Kur ndodhi ajo që pamë të gjithë, ishte si një moment euforik për mua personalisht. Atë natë ne (së bashku me Luftar Von Ramën) nisëm të shkruanim historinë tonë dhe nuk i jemi kthyer pas që prej atëherë”, vijon rrëfimin Jonuzi.

Dokumentari 88-minutësh, që përfshin intervista dhe momente speciale mbi futbollistët e kombëtares shqiptare, është krijuar me një buxhet tejet të ulët dhe falë donacioneve të disa komuniteteve të vogla në Amerikë. “Triumfi” do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit të Varshavës, nga 19-21 tetori./tch