Qeveria Haradinaj, 10 mijë euro familjes së sulmuesit të policisë në Prizren

2 javë më parë

Qeveria Haradinaj, 10 mijë euro familjes së sulmuesit të policisë në Prizren

Njëri nga të dënuarit nga Gjykata e Shkupit për përleshjen e armatosur të vitit 2015 në Kumanovë, i cili do të përfitojë nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 10 mijë eurove për familjarët e dënuarve është edhe Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 10 nëntorit, ndau 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të familjarëve të të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjet e 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë.

Ndarjen e këtyre mjeteve e bëri të ditur Kryeministri Ramush Haradinaj.

“290 mijë euro janë ndarë për mbulimin e shpenzimeve te familjeve të të dënuarve dhe te vrarëve në Rastin Kumanova”, tha Haradinaj.

Ai tregoi më tutje se çdo familjeje të të dënuarve dhe të vrarëve do t’u takojnë nga 10 mijë euro.

“Sheki” u dënua me 40 vjet burg si pjesëmarrës në luftimet e grupit të shqiptarëve dhe forcave të armatosura të Maqedonisë në Kumanovë.

Por, kush në të vërtetë është Shefqet Hallaqi, i njohur me nofken “Sheki”?!

37 vjeçari, Shefqet Hallaqi, në vitin 2014, kur ishte në moshën 34 vjeçare, akuzohej nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për kryerjen e katër veprave penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, në kontroll, ose në posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësim apo dëmtimi i pasurisë.

Shefqet Hallaqi, akuzohej se më 24 tetor 2014 rreth orës 06:15 minuta në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, shkaktoi rrezik të madh për jetën e njerëzve.

“I pajisur me një pushkë automatike “Type 56” e kalibrit 7.62×39 mm, zbret nga auto-taksi hyn në brendësi të stacionit policor duke bërtitur “ku është ai”, e shkelmon derën e radiolidhjeve të stacionit policor, përsëri pyet “ku është ai”, drejtohet në drejtim të zyrës së deskut dhe me pushkë automatike shkrep në mënyrë të pakontrolluar një rafal duke gjuajtur pesë fishekë,” thuhet në aktakuzë.

Nga goditjet e rafalit, shkakton rrezik të madh për jetën e të dëmtuarve Shenoll Nesha, Sheqere Kastrati, Tafil Gashi, Ahir Memishi, Idaim Maliqaj dhe Hysen Ajgeraj, që të gjithë zyrtarë policorë të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Me këto veprime ngarkohej nga prokuroria se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, për të cilën vepër Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej 6 muajve deri në 5 vjet burg.

Ndërsa pika 2 e aktakuzës e ngarkonte Hallaqin se në po të njëjtën ditë në momentin kur hyn në oborrin e stacionit policor, i drejton armën automatike të dëmtuarës Suzana Xhemajli “dhe i drejtohet me fjalët “ta q…, mos livrit se të vras”, me ç’rast te e dëmtuara shkakton frikë të madhe,” thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm për të cilën vepër Kodi Penal parasheh dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe burg prej 1 deri në 10 vjet.

Ndërsa pika 3 e aktakuzës e ngarkonte të akuzuarin se në shtëpinë e tij familjare ka mbajtur armën automatike “Type 56”, bashkë me 49 fishekë të dizajnuar për llojet e pushkëve automatike “AK-47”.

Kjo pikë e aktakuzës e ngarkonte me veprën penale mbajtje në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” për të cilën vepër kodi penal parasheh dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro, ose burgim deri në 5 vjet.

Ndërsa pika 4 dhe e fundit e aktakuzës e ngarkonte Hallaqin, se në Sheshin “Shatërvan” dëmtoi dhe e bëri të papërdorshme një kabinë publike të telefonit, pronë e PTK-së.

“E godet disa herë me grushta dhe me shqelma dhe me këtë rast shkakton dëm PTK-së mbi 5 mijë euro,” përfundon aktakuza.

Shefqet Hallaqi, më 23 mars 2015 u dënua nga Gjykata Themelore e Prizrenit me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vjet e 2 muajve, si dhe mori dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Por Hallaqi nuk ishte dërguar në mbajtje të dënimit pasi që mbrojtësi i tij ishte shprehur i pakënaqur me dënimin e shqiptuar nga Gjykata dhe kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kësisoj, Gjykata Themelore e Prizrenit, ditën e njëjtë, të akuzuarin Shefqet Hallaqi e kishte liruar nga masa e paraburgimit, derisa Gjykata e Apelit të vendoste lidhur me ankesën e mbrojtjes.

Ndërsa kallxo.com kishte marrë vesh se njëri nga të arrestuarit në Kumanovë nga policia maqedonase ishte edhe Hallaqi.

Prezenca e tij në mesin e të arrestuarve ishte konfirmuar nga një video të cilën Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë e kishte publikuar ku shihen personat që u dorëzuan pas luftimeve dy ditëshe ndërmjet një grupi personash të armatosur dhe forcave policore.

Meqë Gjykata i kishte shqiptuar dënim nën 5 vjet burg, gjykata ka vendosur t’ia ndërpresë masën e paraburgimit ashtu sic parashihet edhe me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Këtë situatë, derisa lënda e tij ishte me ankesë në Gjykatën e Apelit, Sheki e kishte shfrytëzuar dhe i ishte bashkuar grupit të Kumanovës, ku u kap dhe u dënua nga Gjykata e shkallës së parë me 40 vjet burg efektiv.