Policia e Kosovës mohon praninë e njësive serbe të armatosura në veri

6 muaj më parë

Policia e Kosovës mohon praninë e njësive serbe të armatosura në veri

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën veriore ka dhënë një sqarim pas shkrimit të publikuar më media se “KFOR-i konfirmon praninë e njësive serbe të armatosura në veri”.

Në sqarim thuhet se “Airsoft Club Vukovi” është organizatë joqeveritare, e pavarur, jo fitimprurëse, e cila sipas statutit të saj, i përket shoqërisë sportive dhe duhet të promovojë kryesisht disciplinë sportive. Ishte formuar bazuar në ligjin për lirinë e bashkëpunimit mes OJQ-ve, në kuadër të ligjit 04/L-57, transmeton AktivPress.

“Organizata në fjalë, “AirSoft Club Vukovi” Mitrovicë veri, e cila udhëhiqej nga Momcilo Arlov, është suspenduar/ngrirë së funksionuari me vetë kërkesën e udhëheqësit të kësaj OJQ-je, në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse, menjëherë pas aktiviteteve të fundit të cilat i patën ndërmarrë në muajin gusht të vitit 2016, dhe që nga ajo ditë, asnjë aktivitet i llojit të njëjtë nuk është regjistruar në asnjë nga komunat më veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë.

Nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicë veri,  thuhet se sot është zhvilluar bisedë me të apostrofuarin Momcilo Arlov, i cili ka deklaruar se bëhet fjalë për fotografi të vjetra, ndërsa shumica e fotografive të paraqitura janë nxjerrë nga interneti, e gjithashtu ka deklaruar se klubi “Air Soft Vukovi”, nuk ka patur asnjë aktivitet që nga gushti i vitit 2016.

Policia e Kosovës, thotë se gjatë vitit 2016, patë ndërmarrë një fushë të gjerë të hetimeve për të siguruar të gjitha informatat lidhur me funksionimin e kësaj OJQ-je, ndërsa ka intervistuar dhe kontrolluar të gjitha pajisjet replika të armëve, duke siguruar se asnjë nga to nuk kanë qenë armë zjarri.

“Për më tepër, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë veri, në baza ditore kanë dhe janë duke vepruar me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të ndryshme kriminale përfshirë zonat urbane dhe ato rurale, dhe gjatë aktiviteteve të tilla policore në zonat rurale, nuk është regjistruar asnjë nga informatat e mundshme nga banorët e këtyre zonave për aktivitete të ngjashme”, thuhet në sqarim.

Policia e Kosovës, siguron se me përkushtimin më të lartë do të vazhdojë të ushtroj aktivitetet e saja në kuadër të autorizimeve ligjore, për të parandaluar çdo formë të aktiviteteve kriminale të çfarëdo lloji qofshin ato.

“Gjithashtu, vlen të potencohet se në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit, Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me mekanizmat tjerë relevant si ata vendor dhe ndërkombëtar, me theks të veçantë KFOR-in”, thuhet në sqarim./AktivPress