Pasojat speciale të shfuqizimit të Ligjit për Specialen

6 muaj më parë

Pasojat speciale të shfuqizimit të Ligjit për Specialen

Lidershipi i Kosovës e ka çuar flamurin e bardhë përballë Gjykatës Speciale. Gjatë javës ka hequr dorë nga iniciativa për ta pezulluar këtë gjykatë, por vetëm kur Perëndimi dha prova ndëshkimi kundër sponsoruesve të kësaj mësymjeje.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, që është kryetar i partisë kryesore në pushtet, tha të jetë e pamundur të shfuqizohet Ligji për Specialen.

Pak para se të publikohej ky qëndrim, Ambasada Amerikane refuzoi ta pajiste me vizë kryeministrin Ramush Haradinaj, duke ia pamundësuar kështu pjesëmarrjen në një ceremoni në shtetin Iowa, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq vendet e QUINT-it shprehën pritjen që “të gjitha shtetet të ndjekin penalisht, ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”.

Specialja formalisht është pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë, por është e vendosur në Hagë të Holandës dhe është e përbërë vetëm nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

Ajo e ka në juridiksion të trajtojë krimet e luftës që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, funksione me peshë në të cilën kishin tre liderët e tashëm shtetërorë, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj.

Në raportin e senatorit Dick Marty, mbi bazën e të cilit është themeluar Specialja, Thaçi e Veseli përmenden si përgjegjës për disa nga krimet.