Pacolli i kërkon BE-së të marrë një qëndrim të guximshëm për gjashtë shtetet e Ballkanit

4 muaj më parë

Pacolli i kërkon BE-së të marrë një qëndrim të guximshëm për gjashtë shtetet e Ballkanit

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në kuadër të Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë, transmeton AktivPress.

Pacolli ka thënë se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është çelës për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të rajonit tonë.

“Pasi po shohim një revitalizim të marrëdhënieve në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duhet të shfrytëzojmë sa më mirë këtë moment. Ballkani Perëndimor përsëri është lart në agjendën e BE-së”, ka thënë ai.

Në vitet e fundit, kryediplomati kosovar ka thënë se Procesi i Berlinit ka siguruar që reformat në rajon të mos ndalen.

“Procesi i Berlinit ishte fokusuar veçanërisht në konektivitet. Jam i kënaqur që koncepti i konektivitetit është zgjeruar edhe në infrastrukturat tjera si ajo digjitale. Rajoni ynë ka potencial për më shumë bashkëpunim dhe shkëmbim tregtar, si dhe për mobilitet të njerëzve. Ndër të arriturat e fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Agjendës për Reformën e Investimeve Rajonale”, ka deklaruar Pacolli.

Megjithatë, sipas tij, mosmarrëveshjet bilaterale në nivel politik mbesin ende pengesë.

“Fokusi duhet të jetë në heqjen e barrierave dhe lejimin e lëvizjes së lirë të investimeve, të mirave dhe njerëzve. Një perspektivë e qartë e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shpejtojë reformat në vendet e rajonit. Por, perspektiva e qartë evropiane është edhe garancë për më shumë investime”, ka thënë ai.

Më pas, Pacolli ka përçuar një porosi.

“Është e rëndësishme që BE të marrë qëndrim të guximshëm dhe të thotë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë. Kjo do të​ inkurajojë frymën e bashkëpunimit të vërtetë rajonal, pasi suksesi i një shteti varet nga suksesi i fqinjëve të vet. Prandaj, duhet t’i eliminojmë të gjitha elementet e kompeticionit në mes shteteve tona”, ka deklaruar ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka theksuar se Kosova do të mbetet e përkushtuar për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në mes të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor./AktivPress/