3 muaj më parë

Pa strategji: përkrahës, militantë apo tifozë?

Pa strategji: përkrahës, militantë apo tifozë?

(Apo: Pse nuk ndryshon asgjë n’këtë vend?!)

Sikur e dini, futbolli nuk është vetëm sport, ai është taktikë, strategji, organizim, sistem, është sikur jeta, është vetë jeta.

Si i tillë na ndihmon të analizojmë fushat tjera, duke i krahasuar me të.

Kësaj radhe, po e shohim atë kundruall partive tona politike.

Për shembull: militantët e partive tona politike janë si tifozët e futbollit.

‘Tifozët’ e PDK-së nuk shohin performancën, rezultatin, strategjinë, vizionin e partisë së tyre, por vetëm brohorasin pa kushte. Nuk e shohin krimin, korrupsionin, ngulfatjen e rezultatet e dobëta, por klithin për fitoret e paqena. Udhëheqësi i tyre e ka marrë partinë me 37 deputetë, e ka kthyer në një rrangallë mjerane prej 21 deputetëve, por ‘tifozët’ e kësaj partie vazhdojnë të ngrisin në qiell lidershipin qesharak.

‘Tifozët’ e LDK-së, ka shumë vjet që të kotur e në një delirium madhështie që moti ka perënduar, vazhdojnë të përsërisin sintagmën – tashmë të pakuptueshme edhe nga vetë ata – “fryma rugoviane”. Si tifozë futbolli, nuk janë në gjendje të kuptojnë greminën ku është katandisur dikur një parti/lëvizje e veçantë, e shëndetshme dhe shumë premtuese. Si tifozë, militantët e LDK- së nuk i shohin e as potencojnë gabimet trashanike të kësaj partie, sidomos humbjen e terenit ndaj lëvizjeve me ideologji që duhej të perëndonte. Por, tifozët si tifozë, brohorasin pa mbarim, deri në alivanosje.

‘Tifozët’ e VV janë të bindur se lideri i tyre është pronar i pakontestueshëm i së vërtetës absolute, prandaj atyre ju mbetet vetëm bindja, aktiviteti, lojaliteti dhe sidomos dashuria e pakushtëzuar ndaj partisë dhe posaçërisht ndaj liderit, ndaj Vëllait të Madh. Tifozët si tifozë, heshtin kur shohin ndryshime drakonike të frymës së VV-së! Detyra e tyre është të brohorasin, jo të mendojnë. Ka kush mendon për ta. Edhe për partinë.

Në anën tjetër, vetë partitë tona politike udhëhiqen sikur ekipet e futbollit të udhëhiqeshin nga futbollistët e jo nga strategët, ndërmarrësit dhe administratorët.

Si ta ilustrojmë këtë:

Po të pyeteshin lojtarët e PSG-së, ata nuk do ta ftonin Neymar-in të “aderojë” në ekipin e tyre. Ai është një yll shkëlqyes karizmatik dhe kush do të donte të krahasohej me të.

Njëjtë edhe tek partitë tona. Ata nuk ftojnë yje shëndritëse në ekip. Më mirë, ftojnë figura mesatare, “elastike’, lehtë të menaxhueshme dhe sidomos të konsumuara, që do të jenê të dëgjueshme dhe të heshtura. Sepse, partitë tona, sikur u tha, udhëhiqen nga ‘futbollistët’, jo nga strategët, jo nga udhëheqësit, jo nga liderët.

Dhe, s’duhej të ishte kështu.

Larg prej kësaj!

Larg!