11 muaj më parë

Pa diasporën tonë do të ishim farë e humbur!

Pa diasporën tonë do të ishim farë e humbur!

P’shtyj teposhtë e bjen n’gji, p’shtyj përpjetë e bjen n’sy


Së pari duhet ta dimë se pa diasporën tonë, nuk do të kishte kurrë as një luftë për barazi, as për liri, as për demokraci e as për pavarësi.

Me fjalë tjera, pa diasporën tonë, askush nuk do të dëgjonte, askush nuk do ta ndihmonte Kosovën, askush nuk do të solidarizohej me vuajtjet e popullit të saj, askush nuk do ta njihte të drejtën e tij për liri e pavarësi.

Me një fjalë, pa diasporën tonë, askush nuk kishte dëgjuar për Kosovën.

Pa diasporën tonë, askush nuk do të kishte dëgjuar për Kosovën (dhe, bashkangjitur e lidhur ngushtë, për shqiptarët që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze).

Megjithatë, deri këtu kurrgjë!

Aiiiiiiii, punëtorë të thjeshtë, argatë, “baushtellca”, “shatzi” e gasterbajtera tjerë që u është ndalur ora e historisë dhe që nuk e kuptojnë e as orientohen me vendlindjen e tyre apo të prindërve të tyre.(sic!)

Eh, kjo është gabim, shumë gabim!

E para, duhet të kihet parasysh se të gjithë, absolutisht të gjithë shqiptarët që kanë shkëlqyer ndonjëherë, i përkasin diasporës shqiptare.

E dyta dhe më e rëndësishmja:

Kush e ka lexuar librin monumental të Nathalie Clayer-it “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, e ka parë, qartë dhe pa asnjë dyshim, se edhe ideja, edhe përpjekja, edhe jetësimi i idesë kombëtare shqiptare, ka lindur, është rritur, është pjekur dhe është jetësuar nga diaspora shqiptare.

Pa diasporën e atëhershme, sot do të kishte mbetur – e zbrazët dhe e fishkur, sikur krahina e Toplicës dhe e Çamërisë sot – vetëm toka djerrë e një populli që kishte jetuar për shumë shekuj aty, por në fillim të shekullit XX, fqinjët e kishin dëbuar nga aty dhe e kishin shpërndarë nëpër botë.

Me një fjalë, më parë thamë se pa diasporë, nuk do të kishte Kosovë.

Edhe më shumë: pa diasporë nuk do të kishim as Shqipëri, as shqiptarë.

Pa diasporën tonë, do të shndërroheshim të gjithë në diasporë.

Pa rrënjë, pa truall, pa shtet, pa komb.

Do të endeshim nëpër dynja!

Medet, s’do të kishim kënd ta pështyjmë e as ta shajmë!

Se edhe vetë do të ishim farë e humbur!