3 muaj më parë

Otto “mbreti”, Otto “gjethe fiku” dhe shqiptarët mendjelehtë

Otto “mbreti”, Otto “gjethe fiku” dhe shqiptarët mendjelehtë

Më 1913, derisa Fuqitë e Mëdha ende nuk kishin vendosur përfundimisht për ta dërguar Wilhelm Wied-in monark në Shqipëri, dikush tjetër kishte ecur një hap më përpara edhe se nipi i Sulltanit, princ Halim Eddine, që po ashtu përflitej se mund të bëhej mbret i shtetit të shkëputur nga Perandoria Osmane. Ishte Otto Witte, një gjerman që falë gjeturisë dhe aftësisë së jashtëzakonshme për të mësuar gjuhë të huaja kishte arritur të bëhej major në ushtrinë e Padishahut, ai që i kishte bërë gati plaçkat dhe kishte mësyrë tokën e shqipeve. Në të ri kishte punuar si ndërtimtar, kamarier, kapës kafshësh, por edhe si artist, cirkus e magjistar. Pjesën më të madhe të kohës e kishte kaluar si endacak duke bredhur nëpër Evropë, Amerikë, Afrikë dhe në Azinë e Vogël.

Kur merr vesh se Shqipëria ishte duke e pritur mbretin, Otto i nis shpejt e shpejt dy telegrame në emër të nipit të Sulltanit për ta paralajmëruar kohën dhe vendin e mbërritjes. E blen një uniformë ushtarake në Vjenë, me vete e merr një mik si adjutant, i hip vaporit dhe zbret në Portin e Durrësit. Nga aty merr rrugën në drejtim të Kavajës, ku edhe vendoset në një çadër mbretërore.

Autoritet e asaj kohe e presin me nderime ushtarake, e sistemojnë në pallat, bile, thuhet se i ofruan edhe një harem. Shpejtë përhapet fjala se Shqipëria ishte bërë me mbret, lajm ky që i shokon Fuqitë e Mëdha, por jo edhe Sulltanin. Në Turqi, nisin të krenohen se kishin ecur një hap para Perëndimit duke e quar njeriun e tyre në Shqipëri, mirëpo edhe këta shpejt zhgënjehen. Princi Eddine, lajmërohet nga Vjena duke u shprehur edhe vet i befasuar se kush ishte “mbreti” që thirrej në emër të tij.

Witte, që po i shijonte ditët mbretërore merr vesh se “truku” i tij ishte në të zbardhur, andaj vendos të ik nga “sytë këmbët”. Për pak arrin t’i shpëtoj një urdhër-arresti të lëshuar nga Esat Toptani i cili e tashmë e kishte kuptuar mashtrimin. Otto kapet në Salsburg të Austrisë, me një sasi të madhe të arit që e kishte nxjerr nga arka e shtetit shqiptar. Edhe aty përpiqet t’i mashtroj organet e rendit duke u thënë se “prangat ia kishin vënë një mbreti”. Ata e marrin për të krisur dhe e qojnë në çmendim. Tek pas dy javësh, thuhet se mjeku i tij kishte arritur ta nxjerr nga burgu me disa shkrime të gazetave të kohës. Këtë e bënë duke i treguar fotografitë ku ai paraqitej duke parakaluar para gardës së ushtrisë shqiptare në cilësinë e mbretit. Kaq u kishte mjaftuar austriakëve për ta lënë të lirë. Pas vdekjes, trupi i tij varroset në njërën nga varrezat e Hamburgut. Në epitaf, sot e kësaj dite i shkruan “Ish- mbreti i Shqipërisë”.

105 vjet më pas, në “tokën e shqipeve” zbret një Otto tjetër- Otto von Feigenblatt. Në shqipërim mbiemri i tij merr kuptimin e gjethit të fikut. Në kërkimet në internet, në të shumtën e herëve edhe ai shfaqet i veshur me uniformë mbretërore. (https://www.vonfeigenblatt.com/). Ambicien për t’u bërë mbret mbase nuk mund ta ketë si “Otto i parë”, pasi ka kaluar koha e monarkive, por edhe ai ka zgjedhur t’i bëjë “lolo”politikanët e një shteti të ri, duke u shitur si njeri i lidhur me administratën e presidentit të Amerikës.

Ndoshta historiografia mund ta nxjerrë në dritë më vonë, por sot nuk dihet se si ky “gjethe fiku” arriti të bëhet “Ambasador Nderi” i Kosovës. Këtë titull ia dha presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, në emër të kontributit të tij për Kosovën, pa çka se askush nuk kishte dëgjuar për të bëmat e tij deri sivjet. Emri i tij u bë më i shpeshtë në media nga muaji mars i këtij viti, kur i ndau një gazetareje kosovare një mirënjohje në emër të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Kur e pa se këtu gjithçka “hahet”, shkoi një hap përtej.

“Gjethe fiku” zgjodhi ta gëzoi njësoj edhe Lutfi Hazirin me mirënjohje nga numri një i Amerikës. Pa një, pa dy, politikani që udhëheq një komunë të madhe si Gjilani, e që shihet si kandidat potencial për ta udhëhequr po ashtu një parti të madhe siç është LDK-ja, e shpërndau “lajmin e madh”, ndonëse emri i ishte bërë “Lufti” dhe përmbajtja në mirënjohje nuk përkonte aspak me aktivitetin e tij.

Mund të mos e ketë lexuar fare tekstin, mund ta ketë lexuar e të mos e ketë kuptuar, mund ta ketë kuptuar por është bërë sikur nuk e ka kuptuar,apo edhe mund të ketë kuptuar por ka menduar se të tjerët nuk do ta kuptojnë, por mbi secilin variant ai zgjodhi që gëzimin ta ndaj me qytetarët e Kosovës, për “meritat” se ka punuar mbi 4 mijë orë në mënyrë vullnetare për Amerikën. E kush më mirë se vet i nderuari me këtë mirënjohje e di se ajo që thuhet në tekst është komplet e paqëndrueshme.

Otto “gjethe fiku” po demaskohet ngadalë si Otto “mbreti” dikur. Administrata e shtetit amerikan nuk e njeh për njeri të sajin, përkundrazi e sheh si një mashtrues. Otto mund të mos shihet kurrë më në Kosovë, por ai përjetësisht mund të krenohet se i ka vënë në lajthim politikanët e rangut të lartë të një shteti të ri. Titulli i “Ambasadorit të Nderit” mund t’i merret, por kurrë nuk mund t’i merret titulli i ish- Ambasadorit. Para se të vdes, edhe ai mund ta lë amanet që në epitaf t’i shkruhet “Ish- Ambasador i Nderit i Kosovës”. Me rëndësi është se çfarë do të thonë edhe viktimat e tij në një kohë kur shumëçka është lehtë e verifikueshme, e jo siç ka qenë para 105 vjetësh. Gjithë ata njerëz që paguhen nëpër kabinete, si nuk kanë marrë mundin që të hulumtojnë pak rreth një të huaji para se ai të nderohet nga shteti, e para se t’i pranojnë mirënjohjet e tij që blihen me pak dollarë.

Presidenti Thaçi dhe kryetari Haziri vetëm sa i kanë dhënë të drejtë Faik Konicës që thoshte se “ne shqiptarët s’marrim dot mësime”.  “Mbani mirë këtë që po u thom: në njëqint vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aq poshtë sa dhe sot.” thoshte ai. Me fat do të ishim si popull sikur të paktën pas 100 vjetësh nga tash, gjërat të ndryshojnë dhe shqiptarët të mos tregohen shumë mendjelehtë.