Opozita, pa alternativë për kryenegociatorin

2 javë më parë

Opozita, pa alternativë për kryenegociatorin

Ndonëse partitë opozitare vazhdimisht deklarohen se nuk e duan presidentin Hashim Thaçi si kryenegociator në dialogun Kosovë – Serbi, ato nuk po pranojnë të propozojnë emër tjetër për kryenegociator. Presidenti Hashim Thaçi, duke komentuar kundërshtimin që po vjen nga opozita, me ironi ka thënë se është në gjendje që detyrën e kryenegociatorit t’ia dorëzojë shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike Avdullah Hotit.

Në anën tjetër, zyrtarët e kësaj partie nuk kanë dashur të tregojnë nëse LDK-ja do të pranonte ta drejtonte delegacionin kosovar.

Ndërkaq deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se Kuvendi duhet të vendosë për kryenegociatorin, por nuk kanë dashur të flasin se kush do të ishte njeriu i duhur për detyrën e kryenegociatorit. Ndërsa nga Partia Socialdemokrate kanë thënë që i qëndrojnë mbrapa kërkesës së tyre për seancë të jashtëzakonshme.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke mos dashur të komentojë se a do ta pranonte një detyrë të tillë, ka thënë se presidenti Thaçi me deklarime të tilla është duke shkelur Kushtetutën e Kosovës./Zëri/