3 javë më parë

Një e diel e bukur në Prishtinë…

Një e diel e bukur në Prishtinë…

Sot paradite në Prishtinë mbajti kohë bukur nxehtë, ndërsa pasdite koha u vra e përcjellë me një erë të lehtë verilindore, dhe pas pak mbi të u zbraz një rrebesh shiu verorë, i cili e freskoi Prishtinën dhe e cila ka shumë nevojë për ajër të pastër dhe frymëmarrje të lirë !

Mbase, ky rrebesh shiu për pak çaste më barti tek kujtimet mbi vitet e kaluara, kur çdo gjë e bënim me përkushtim të madh, sidomos për arritjen e lirisë tonë të marrë peng nga armiqtë fqinj.

Ishte një epokë tjetër në të cilën punohej shumë për jetësimin e projektit nacional për pavarësinë e Kosovës.

Dhe, më pas sikur me tingëllojë jehona e zërave të dëshmorëve që më kërkonin të angazhohemi bashkërisht, ndoshta më shumë se edhe atëherë për një mobilizim të gjithanshëm për të ndërtue një shtet të mirëfilltë evropian, për të sigurue një të ardhme më të ndritshme për gjeneratat e ardhshme, ku qytetari ynë do ndjehet krenarë dhe i lumtur me jetue në këtë vend kaq të bukur dhe kaq të pasur!

Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz që e duan ajrin dhe tokën e saj të pastër më shumë sesa veten, që e duan këtë vend të mrekullueshëm, që veç Zoti ka ditur me na e dhurue, sepse ky vend ka nevojë për neve, sepse ne kemi nevojë për këtë vend të shenjtë plotë me pasuri dhe begati natyrore.

Ky shtet dhe kjo shoqëri kanë nevojë për një klimë më të butë politike dhe etike, për një kulturë dhe politikë më ndryshe që bashkon e jo që ndanë, për fjalorë më të pastër, për njerëz modest, atdhetarë, punëtorë dhe vigjilentë !

Populli ynë i shumë vuajtur dhe Kosova martire e meritojnë një jetë shumë më të mirë se kjo që është sot, e meritojnë një jetë dinjitoze dhe pa brenga, sidomos rinia jonë e meriton kujdesin e plotë të shtetit dhe shoqërisë, t’i sigurohen asaj kushtet për një jetë normale, vendet e punës që mos të detyrohet ta braktisë atdheun, sepse një Kosovë pa rininë e saj, pa punëtorët e saj, pa dorën dhe uratën e saj, pa lirinë e plotë dhe perspektivën e sigurt të saj, nuk i duhet askujt.

Prandaj ndryshimi dhe reformat e shumanshme dhe demokratike me vizion të qartë perëndimor, janë aq sa të nevojshme, po aq të domosdoshme !