“Nëntor i ftohtë” hap dyer të reja me çmimin e audiencës në festivalin zviceran

1 javë më parë

“Nëntor i ftohtë” hap dyer të reja me çmimin e audiencës në festivalin zviceran

Përcaktimi i audiencës së festivalit zviceran për ta vlerësuar me çmim filmin nga Kosova, i ka dhënë vulë rrugëtimit të mbarë që ka nisur “Nëntor i ftohtë” nëpër botë. Filmi i regjisorit Ismet Sijarina, i cili ka shkruar edhe skenarin bashkë me Arian Krasniqin, e ka marrë çmimin e audiencës në “Zürich Film Festival”.

Ky sukses ia ka siguruar filmit – që rrëfimin e shtjellon në Kosovën e fillimviteve ’90 – shfaqjen edhe në të paktën tri festivale të tjera. Në Stamboll, Selanik e Göteborg do të shfaqet “Nëntor i ftohtë” pas triumfit në festivalin zviceran. Një ekip i filmit ishte prezent në festivalin që edicionin e sivjetmë e ka realizuar mes datave 1 e 7 tetor.

Në rolet kryesore në këtë film luajnë: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban dhe Lum Veseli. Drejtor fotografie është Sevdije Kastrati, montazher Vladimir Pavlovski. Muzika e filmit është realizuar nga rock-grupi kosovar “Jericho”, shkruan sot Koha Ditore.