2 javë më parë

Në kufij të krizës

Në kufij të krizës

Shkruan: Zekirja Shabani

Miku im Darko,

Rrëfimin për fëmijërinë tënde më ktheu rreth 30 vite në kohë. Një ditë të enjte në tregun e vogël të Shtërpcës ku ndihmoja gjyshin të shiste pemë e perime.

Mollët i shiste për një dinarë, dardhët nga një e gjysmë. E unë luaja me kandarin si fëmijë i lazdruar që tërheq vëmendjen e “funksionarëve”, të cilët gjatë pauzës porosisnin t’ua ruanim disa kilogramë pemë deri në fund të orarit të punës.

Të gjithë ishin fqinj tanë, të komunitetit serb që kishin mbetur në punë ditën kur babai im bashkë me shqiptarët e tjerë ishin detyruar të zgjedhin, “me Kosovën ose me Serbinë”.

Edhe ai ishte “funksionar”, për të cilin nuk kishte vend në treg si shitës, ndërsa për të blerë nuk ia mbante gjepi.

As në Kosovë nuk ishte rehat, prandaj që detyruar të largohej në gyrbet.

Por, këtu po shkruajmë për historinë tonë e jo të tijën.

Rrethanat e jetës duket se janë të ngjashme, miku im. Si unë në Shtërpcë, si ti në Gorazhdevc kemi jetuar rëndë.

Nuk e di si ka qenë dita jote e parë e shkollës, por unë e mbajë mend shumë mirë odën e mësuesit Ibush, në të cilën hynim fshehtas pa libra e pa fletore.

Derisa ne fatosat mahniteshim me madhështinë dhe autoritetin e mësuesit, familjarët tanë bënin roje jashtë objektit në mes të fshatit. Brenda në odën-klasë po edukoheshin gjeneratat e Kosovës së Pavarur.

Kështu u rrita unë.

Me shpresën se një ditë do të jetoj i lirë.

Prandaj e kuptoj shumë mirë shqetësimin tënd dhe ndjenjën që të përcjellë se po i pengon dikujt.

E kam përjetuar në lëkurën time.

Në mars të vitit 1998, fqinjët e mi, të cilëve u shisnim në treg, erdhën të armatosur deri në dhëmbë dhe na urdhëruan që brenda tri orëve të largoheshim nga shtëpitë tona. Isha 14-vjeçar.

Nuk do të doja asnjëherë që kjo t’i ndodhë dikujt. Madje as në ëndërr.

Miku im Darko, serbët nuk duhet të shqetësohen tani që kan në krah edhe shtetin e Kosovës, pavarësisht pengesave shoqërore, për dallim prej meje që jetoja nën shtetin serb represiv.

Përveç mbrojtjes që u ofrojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, zërin e tyre mund ta përfaqësojnë edhe përfaqësuesit ministra të Listës Serbe në Qeverinë e Republikës së Kosovës, megjithëse nuk e njohin për të Pavarur.

Unë kam përjetuar edhe pamundësinë për t’u regjistruar si banorë i këtij vendi, prandaj më duket e frikshme t’i mohohet e drejta për të qenë banor i Kosovës dikujt që është lindur e rritur këtu.

Pikërisht për këtë jam interesuar, pas ngritjes së shqetësimit tënd se rreth 200 mijë serbë të Kosovës nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e shtetësisë.

Isha në Agjencinë e Regjistrimit Civil të Kosovës për të pyetur se përse po ndodhë kjo.

Situata ishte pak e komplikuar, por jo e pazgjidhshme. Besoj se këtu ne si gazetarë mund të ndihmojmë duke raportuar të vërtetën dhe duke mbajtur përgjegjës burokratët.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës më 05.07.2018 ka nxjerrë një vendim që u mundëson të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë regjistruar (lajmëruar) faktet e gjendjes civile (lindjet, martesat dhe vdekjet), në strukturat jolegale serbe, nga data 10 qershor 1999 deri më 14.09.2016, kanë të drejtë për aplikim për regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile në Republikën e Kosovës.

Pra edhe të gjithë ata që posedojnë dokumentacione të administratës së Kosovës në sistemin e Serbisë, të ashtuquajturës – Drejtoria Koordinuese.

Megjithatë, për regjistrimin e fakteve të lindjes, sipas këtij vendimi prindërit/prindi e pasardhësve, duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës.

Arsyeja për këtë, siç mësova, është se në Kosovë kurrë nuk kanë jetuar rreth 200 mijë serbë ndërsa një pjesë e madhe kanë nënshtetësi të vendeve tjera prej nga janë zhvendosur në Kosovë. Pra, prindërit e këtyre të lindurve që nuk po mund të regjistrohen në Kosovë ka gjasë të jenë shtetas të Bosnjës, Kroacisë e vendeve tjera të ish-Jugosllavisë.

Për këtë ligji parasheh procedurë tjetër të regjistrimit, të cilën duhet ta hulumtojmë.

Por, ligji nuk mund dhe nuk dihet të jetë për shqiptarët ndryshe e për serbët ndryshe. Shteti të cilin po ndërtojmë bashkërisht duhet të jetë i barabartë për të gjithë dhe jo diskriminues.

Qytetarët nuk duhet të presin shumë nga Beogradi e Prishtina që të përcaktojnë mënyrën se si do të jetojmë bashkërisht në Gorazhdevc a Shtërpcë.

Në kohën kur më ke shkruar ishim duke pritur presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq që të mbajë fjalimin e tij historik në veri të Kosovës ku më pas doli se ndoll ka kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milloshevic.

Pas kësaj ngjarjeje ndodhi edhe një marri tjetër nga ana e presidentit tonë, Hashim Thaçi.

Shëtitja e tij me varkë, si James Bond nëpër liqenin e Ujmanit nuk është asgjë tjetër vetëm se një patriotizëm fals për të ulur zërat kundër idesë së tij për ndarje të Kosovës.

Të dy, në vend se të na ngjallin kujtime të hidhura të fëmijërisë sonë, do të duhej ti jepnin fund marrëzisë nacionaliste dhe të na linin të qetë të ndërtojmë të ardhmen dhe të flasim për problemet esenciale, jetësore.

Besoj se je dakord, miku im Darko, që qasja nacionaliste ndaj problematikave shpesh na kanë vënë përballë sfidave ekzistenciale jetësore.  Deri kur duhet të vazhdoi të na përsëritet historia?

Një e di të sigurt, se rrëfimet si ky i imi e yti duhet të dëgjohen, në mënyrë që të mos na përsëriten më.

Më poshtë mund ta lexoni opinionin e redaktorit të Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijev

Ky opinion është shkruar për KoSSev, i cili me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë nis rubrikën e re, “Në kufijtë e krizës”, në kuadër të faqes Dialogu. Në muajt në vijim, redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, dhe kryeredaktori i Gazetës inFokus, Zekirja Shabani, do të shkëmbejnë qëndrimet mbi çështjet aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhëniet e tyre reciproke. Kolumnat do të publikohen edhe në gjuhën shqipe në portalin Gazeta inFokus. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe mendimet e vetë autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.