Në karnavale me fustanellë (Foto të rralla nga Korça e viteve ’30)

2 javë më parë

Në karnavale me fustanellë (Foto të rralla nga Korça e viteve ’30)

Entela Resuli

Tirana shpesh na rezervon surpriza edhe në qoshet e saj. Ekspozitat nuk është e thënë të hapen vetëm në muze apo galeri. Ka edhe ambiente të tjera të cilët i japin kryeqytetit një frymë kulturore. Njërën prej tyre e hasëm ditën djeshme në Rrugën “Qemal Stafa”, në ambientet e “Vila Ironbrush”. Një poster me mbishkrimin “Fustanella” na bën kurioz për ekspozimet në atë ambient.

Aty na shfaqen njëra pas tjetrës 12 foto të disa djemve dhe vajzave të veshur me fustanella! Të gjitha e kanë një histori dhe i bashkon një periudhë kur ato janë shkrepur, vitet ‘30 në Korçë . Ekspozita ka për autor një djalë i cili është një koleksionist i njohur në kryeqytet.

Vaster Dhima i ka qëmtuar me kujdes këto imazhe që këto ditë ka vendosur t’i ndaj me publikun, pasi siç thotë ai, koleksioni nuk ka vlerë nëse nuk bëhet i prekshin për publikun.

28-vjeçari i pasionuar pas koleksionit na thotë se ky është një rrugëtim fotografik mbi krijimtarinë e fotografit korçar Vani Burda në vitet 1930.

Ekspozita përbëhet nga 12 imazhe të nxjerra nga negativet e vetë autorit, të realizuara në ditë karnavalesh në qytetin e Korçës.

Elementi karakteristik që lidh këto imazhe është Fustanella, tashme e parë jo si veshje e përditshmërisë por si një suvenir i së shkuarës duke humbur shenjtërinë e dikurshme për shkak të adoptimit të modernes dhe duke marrë trajta me spontane.

Folëm me Vaster Dhimën, autorin e ekspozitës, i cili na tregon më shumë rreth historisë së fotove dhe fotografit të tyre.

-Vaster, ju njohim si koleksionist, por këtë herë keni zgjedhur që të hapni një ekspozitë me foto. Pse vendosët që këto foto të mbledhura t’i ndanit me publikun?

Kam dëshirë t’i ndaj me publikun sepse kjo është arsyeja e dytë e pasionit tim për të koleksionuar, e para e të konservuarit të materialeve fotografike dhe e dyta, publikimi i tyre. Nëse këto materiale nuk bëhen të aksesueshme për publikun nuk do ishte e nevojshme që t’i kërkoja, gjurmoja edhe t’i mblidhja. I gjithë qëllimi është që të bëhet e mundur që publiku, të pasionuarit, fotografët edhe studiuesit të njihen me materialet që unë koleksionoj.

-Tema është interesante. 12 foto ku burrat shfaqen me fustanellë. Pse je ndalur te kjo veshje?

Në fakt kjo ka lindur spontanisht, por një arsye ka qenë sepse kjo veshje është harruar nga studiuesit edhe kohët e fundit i është kushtuar vëmendje xhubletës. Një nga arsyet e kësaj ekspozite është për të tërhequr vëmendjen nga fustanella ku nga kjo ekspozitë sado e vogël do të shohim që nuk e njohim kaq mirë këtë veshje sa pretendonim.

-Ke zbuluar diçka për këto foto, për këtë traditë dhe rrethanat në të cilat janë shkrepur ato?

Është e vështirë të arrish në konkluzione të sakta po gjithsesi jam munduar të gjej shumë përgjigje nga ‘’pyetjet’’  që na paraqesin këto imazhe. Shumica e këtyre fotografive janë bërë në ditë karnavalesh, të realizuara nga fotografi për qëllime komerciale edhe të kërkuara nga klientët për të ruajtur një kujtim të veçante nga këto ditë festive.

-Burra me fustanellë, fëmijë po ashtu, mund të na tregosh diçka për historinë e fustanellës dhe rëndësinë e kësaj veshje?

Nuk jam studiues i fushës se etnografisë që të jap një shpjegim të saktë mbi fustanellën por di që ajo është një veshje që shqiptarët e kanë veshur gjithmonë si në veri ashtu edhe në jug edhe këtë na e dëshmojnë shumë mirë fotografitë.

-Personazhet në foto janë të gjithë korçarë?

Fotot janë realizuar në Korçë edhe fatkeqësisht dimë vetëm periudhën kur janë shkrepur  dhe autorin por s’kam asnjë të dhënë se cilët janë personat në foto, me shumë mundësi të gjithë duhet të jenë qytetar korçarë.

-Fustanella, konsiderohej një veshje e rëndësishme?

Patjetër qe po sepse shohim nga fotot që edhe pse në një epokë moderne ajo arriti të mbijetojë megjithë format dhe trajtat e pazakonta që nuk i ka pasur më parë. Edhe është kjo veshje që i bën këto foto shumë ekzotike.

-Shohim në një foto, një fund i veshur nga një burrë, por që nuk është i bardhë, por me kuadrate. Ka ndonjë domethënie?

Ndoshta kjo është foto më interesante e ekspozitës edhe ajo që ngacmon të gjithë shikuesit. Në foto kanë pozuar në këmbë dy burra ku personazhi nga e djathta ka veshur një fustanelle të veçantë me kuadrate që të kujton veshjen karakteristike të skocezeve, fustanin me kuadrate të kuq me të zezë. Kjo është një fustanellë e krijuar për ditë karnavalesh, nuk ka ndonjë domethënie të veçantë. Shpesh në këto foto has fustanella nga më të ndryshmet sepse e rëndësishme në këtë ditë është të dalloheshe, të vishje diçka të veçante që tërhiqte vëmendjen dhe duket që personi që ka pozuar në fotografi edhe sot pas 80 vitesh akoma na tërheq.

-Po na thua që fustanella është veshur edhe për karnavale, çfarë domethënë kjo?

Fustanella ka qenë gjithmonë një veshje që përdorej në raste festash kështu që kjo nuk na çudit që përdorej në ditë karnavalesh, por më shumë na çudit mënyra sesi përdorej dhe trajtohej ajo, jo më si veshje e përditshmërisë por si një suvenir i së shkuarës. Shpesh herë personat si meshkuj dhe femra pozojnë si luftëtar apo kaçak me pushkë në dorë dhe me pistoleta e thika në brez. Veshjet kanë edhe një përzierje midis traditës së vjetër me veshje moderne të kohës si shall, xhaketa, doreza…

-Ka qenë e vështirë t’i sigurosh këto foto Vaster dhe si ia ke dalë?

Normalisht që ka qenë e vështirë sepse shumë materiale fotografike në vite kanë humbur, negativet është vështir të mbijetojnë pa kushte sepse ka munguar kujdesi i pasardhësve të fotografeve, i institucioneve shtetërore, dhe mungesa e personave që mbledhin dhe ruajnë materiale fotografike. Unë koleksionin e fotove e kam krijuar duke mbledhur materiale tek pasardhësit e fotografeve edhe të koleksionistët e tjerë.

-Këto foto janë të gjitha të fotografit Vani Burda. Cili ka qenë roli i tij në Korçë, në cilat vite ka jetuar dhe çfarë gjurme ka lënë në historinë e fotografisë?

Po, fotot e ekspozitës janë të realizuara nga fotografi korçar Vani Burda (1875-1949). Ai ka qenë një personazh kompleks me një jetë të mbushura me aktivitet patriotit si nipi i Nikolla Naços. Një pjesë të jetës e kaloi në Bukuresht edhe në fillim të viteve 1920 u kthye në Korçë ku hapi një studio fotografikë që e quajti ‘’fotografia moderne- Vani Burda’’. Jeta do të rezervonte vështirësi të mëdha për të si ekonomike ashtu edhe shëndetësore. Ai ishte një fotograf komercial i cili përpiqej të jetonte me punën në studion e tij fotografike. Rëndësia e tij në historinë e fotografisë do jetë subjekt  në ekspozita dhe shkrime të tjera. Vani Burdës i detyrohemi portretin e Ismail Qemalit që sot gjendet në të gjithë institucionet e shtetit shqiptar.

-Vaster, kur ka nisur pasion yt për fotografinë?

Pasioni im për të hulumtuar dhe mbledhur materiale mbi fotografet shqiptar ka nisur prej 8 vitesh.

-Sa foto të koleksionuara numëron?

Në fakt një koleksion nuk e benë me vlerë vetëm sasia po edhe cilësia e materialeve. Unë kam arritur të mbledh mbi 3000 materiale fotografike.

-E mendon këtë si pasurinë më të madhe që ke?

Kjo për mua është pasuria më e madhe megjithëse nuk ka ndonjë vlerë të madhe monetare, për mua ka qenë një mënyrë e mirë për të hulumtuar më shumë mbi fotografinë në Shqipëri./Dita.al