4 muaj më parë

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Një ligj të mirë për RTK-në!

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Një ligj të mirë për RTK-në!

Edhe sivjet Kosova mbetet vend me “liri të pjesshme të shtypit” (Freedon House) dhe ku “mediat vuajnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike” (Reporters Sans Frontieres). Në vitin kur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shënohet me temën: “Mbajtja e pushtetit nën kontroll: Media, Drejtësia dhe Sundimi i Ligjit”, Kosova sërish nuk mund të mburret me përparime në sistemin e medieve. Në veçanti, përparimet në funksion të përmirësimit të gjendjes – mungojnë në rastin e kompanisë mediatike që ka statusin e transmetuesit/medias publike. Aktualiteti i diskutimeve për ligjin e ri nxjerr në pah lidhjen me temën bosht të motos së sivjetme për shënimin e ditës së lirisë së shtypit. Me këtë kategori të mediave lidhet edhe de jure përgjegjësia e medias për të mbajtur në kontroll pushtetin. Në praktikën e funksionimit të tyre, kjo përgjegjësi nuk realizohet gjithnjë, shpesh për arsye të mungesës së vullnetit dhe kulturës politike që vetëkufizon mundësinë e faktorëve vendimmarrës politikë për ndikim mbi institucionet e pavarura dhe në shërbim të publikut. Në rastin e Kosovës kjo mungesë e vullnetit politik manifestohet përmes legjislacionit për transmetuesin publik të Kosovës.

Edhe sivjet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, kompaninë e veçantë dhe kryesore në sistemin e mediave në Kosovë e gjen pa bazë të mirëfilltë ligjore dhe me shumë diskutime për nevojën e miratimit të një ligji të ri. Por, çështja thelbësore është se RTK-së nuk i duhet thjesht një ligj i ri, sa për të plotësuar zbrazëtitë që aktualisht janë krijuar nga mangësitë dhe provizionet e përkohshme tanimë të tejkaluara të ligjit të vitit 2012. Medias publike të Kosovës nuk i duhet edhe një ligj i keq. RTK ka nevojë për ligj të ri, por mbi të gjitha për ligj të mirë. Jo, sepse ligji në vetvete do t’i zgjidh problemet. Në vende me demokraci të brishtë as ligjet më të mira nuk arrijnë të garantojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve publike nga faktorët me pushtet politik. As ligji më i mirë nuk do të jetë i vetmjaftueshëm për procesin e transformimit të një kompanie mediatike me statusin juridik të transmetuesit publik, në media të mirëfilltë publike, që përmbush funksionet e paracaktuara për: informim, edukim dhe argëtim. Është mjedisi politik, shoqëror, tradita demokratike për (mos) ndërhyrjen e pushteteve të tjera mbi pushtetin mediatik, ai që e kushtëzon suksesin apo dështimin edhe të ligjeve më të mira në letër.

Në rastin e RTK-së, megjithatë as kjo mundësi nuk mund të analizohet dhe interpretohet. Tradicionalisht, për RTK-në vendimmarrësit politikë kanë hartuar legjislacion që atyre ua ka siguruar kontrollin mbi çështjet që konsiderohen parametra kryesorë për pavarësinë e medias publike. Emërimet e drejtpërdrejta nga autoriteti politik i UNMIK-ut (UNMIK/REG/2001/13), me ligjin Nr. 04/L-046 janë transformuar në të drejtë ekskluzive të përfaqësuesve politikë për zgjedhjen e anëtarëve të organit udhëheqës të RTK-së. Ligji i vetëm që parashihte proces më të decentralizuar të zgjedhjes së bordit, ai i vitit 2006 (02/L-47), nuk është zbatuar asnjëherë në plotësi, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për t’u përmbajtur nga kontrolli përmes emërimit/zgjedhjes së organit kryesor të medias publike. Normalisht, në praktikën e transmetuesve publikë nuk ka një model fiks që paraprakisht garanton pavarësinë e organeve udhëheqëse të kësaj kategorie të mediave nga politika. Por, secili vend obligohet ta përshtat modelin, duke u bazuar në karakteristikat e sistemit politik, në traditën demokratike për pavarësinë e pushteteve dhe në rrethana të tjera shoqërore. Prandaj, deklarimet e vazhdueshme dhe thirrja në modele që janë shembuj të mirë nga vende perëndimore, pa marrë në konsideratë rrethanat specifike të Kosovës, janë paralajmërim për vazhdimin e “traditës” së ligjeve të këqija për RTK-në.

Në rrethanat aktuale të Kosovës, RTK-së i nevojitet një ligj sipas të cilit politika do të detyrohet t’ia kufizojë vetes mundësitë për ndërhyrje mbi median publike; një ligj që nuk do ta lë të vetme dhe pa mbështetje RTK-në në fazën kalimtare drejt arritjes së synimit për financim nga qytetarët; një ligj që parasheh decentralizimin e procesit të zgjedhjes së bordit të RTK-së dhe sipas të cilit zgjedhja në organin udhëheqës të RTK-në nuk do të shihet si pagë tërheqëse, por si angazhim që do të konsiderohet nder publik për personalitete të dëshmuara në lëmi të ndryshme shoqërore; një ligj që do rris nivelin e autonomisë gazetareske dhe hapësirën për prodhimin e përmbajtjes nga kategoria e profesionistëve në RTK, si alternativë për krijimin e “aleancës” me audiencat përmes cilësisë programore; një ligj që do ta drejtojë RTK-në kah reformat thelbësore, por të domosdoshme për shndërrimin në media kontributdhënëse në procesin e demokratizimit të shoqërisë; një ligj që do ta ndihmonte RTK-në të ishte rast i veçantë krahasuar me transmetues të tjerë, sidomos në rajon, që me përcaktimin ligjor “publik” mundohen të mbulojnë shërbimin që i kryejnë politikës.

Për ta bërë një bazë të tillë ligjore nevojitet proces i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës i diskutimeve publike. Kalimi i nismës për përgatitjen e ligjit nga Qeveria (siç ka qenë më herët) në Parlamentin e Kosovës (Komisioni për Media), është hap i parë, por i pamjaftueshëm. Ligji për transmetuesin publik nuk është ligj i zakonshëm, sepse media nuk është kompani e zakonshme. Mbyllja, përqendrimi i diskutimeve vetëm në nivelet udhëheqëse dhe mungesa e gatishmërisë për hapjen e një debati të gjerë publik, ku do të përfshiheshin të gjitha palët që kanë interes për median publike, sërish do të lë pa bazë të mirëfilltë ligjore dhe do të shtyjë edhe për disa vite fillimin e reformave të domosdoshme strategjike dhe editoriale të kompanisë mediatike publike në Kosovë.

(Gjylie Rexha është gazetare, njëherësh ligjëruese universitare për gazetari)