Nafta e pakontrolluar, shqetësim për ministrin e ri të Tregtisë

2 javë më parë

Nafta e pakontrolluar, shqetësim për ministrin e ri të Tregtisë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka paralajmëruar se Trupat Inspektuese për kontrollin e cilësisë së naftës mund t’i kthehen ministrisë që ai drejton, raporton Ekonomia Online.

Ish-ministrja Hykmete Bajrami me anë të një udhëzimi administrativ kishte marrë vendim që nafta të kontrollohej nga Dogana e Kosovës.

Por, ministri aktual këtë nuk po e sheh si zgjidhje ngase sipas tij, vetëm 3 deri në 5 për qind e naftës që hynë në vend kontrollohet.

Hasani thotë se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi që të sigurohet cilësia e naftës që hyjnë në vend.

“Jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësinë vetëm që të sigurohemi që ka cilësi të naftës në Kosovë dhe që qytetarët të mos kenë dyshimin se po futet naftë jo cilësore. Është një shqetësim se mendohet se 3 deri në 5 për qind kontrollohet nafta, kështu që besojmë që ndoshta do të gjejmë modalitet që sa më mirë të ketë kontroll të mjaftueshëm”, ka deklaruar ai.

Hasani ka shtuar se në kuadër të ministrisë është laboratori që nuk është vënë në funksion asnjëherë dhe se janë duke synuar që ai të fillojë punën për të kontrolluar cilësinë e naftës.

Ai ka paralajmëruar edhe rritjen e investimeve të huaja në vend. Kjo sipas tij, do të mund të arrihet përmes jetësimit të Ligjit për Investime Strategjike dhe krijimit të kushteve sa më të mira për investitorët./EO