MTI ofron partneritet për adresimin e sfidave të sektorit privat

5 ditë më parë

MTI ofron partneritet për adresimin e sfidave të sektorit privat

Komuniteti i biznesit duhet të përfshihet qysh në fazat e hershme të procesit të hartimit të legjislacionit që ka ndikim në sektor privat, në mënyrë që të sigurohet që legjislacioni është në përputhje me nevojat e industrisë dhe nxit zhvillimin ekonomik në vend.

Ky ishte konkludimi kryesor i tryezës së sotme të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bizneset patën mundësinë të diskutojnë me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala, njofton kumtesa.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, i uroj mirëseardhjen Ministrit të ri, duke potencuar që kjo ministri është e një rëndësie tejet të veçantë për të gjitha bizneset në vend, marrë parasysh numrin e madh të fushave të cilat i mbulon, nisur nga konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit, e deri tek pronësia industriale. Ai shprehu gatishmërinë e Odës Amerikane për të dhënë kontributin e saj në të gjitha fushat me ndikim në mjedisin afarist në vend.

Ilir Ibrahimi, President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi rëndësinë e pasjes së një dialogu të mirëfilltë dhe konstruktiv mes sektorit privat dhe atij publik, si e vetmja mënyrë për të garantuar rritjen e sektorit privat në vend.

Në këtë drejtim, Ibrahimi sqaroi se Oda Amerikane përfaqëson biznese që vijnë nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke rezultuar gjithnjë në kërkesa të balancuara dhe të arsyeshme drejtuar institucioneve./AktivPress/