2 javë më parë

Liria dhe media

Liria dhe media

Edhe sivjet, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kosovarët kanë vetëm dy zgjedhje: ta shohin gotën gjysmë të mbushur dhe të kënaqen me faktin se ka vende në Europë që janë më keq se ne, ose gjysmë të zbrazët dhe t’ia vënë gishtin kokës e pa humbur kohë të marrin kthesën e domosdoshme për ta konsoliduar lirinë e tyre.

Liria e medieve, e cenuar sot jo vetëm nga autokratë të pangopshëm, por edhe nga grupe ekonomike e kriminale pas avantazhit që u ka krijuar teknologjia, është në fakt vetë Liria, është kushti i domosdoshëm për realizimin e “homo net-it”, është “infrastruktura e komunikimit” e Couldry-t, e cila përcakton ekzistencën tonë si qenie që “s’mund të mos komunikojmë”.

Liria e medieve ndërvepron me Demokracinë dhe kjo do të thotë që janë në ndërvarësi sa i përket shkallës së zhvillimit. Do të ketë dhunë e kërcënime ndaj gazetarëve, derisa të ketë pandëshkueshmëri dhe papërgjegjësi politike e institucionale. Por, do të ketë shantazh e presione ndaj gazetarëve, edhe derisa Ne do të abuzojmë vetë me Gazetarinë.

Është e vërtetë që Teknologjia, siç thotë profesor Milazim Krasniqi, “ka sfiduar etikën e Gazetarisë dhe kufijtë e fushëveprimtarisë së saj”, por klientelizmi, mania e klikimeve, fake news, si dhe raporti problematik me verifikimin e lajmit, që ndodh jo rrallë, e ka sfiduar besueshmërinë publike të medieve, e ka plandosur kredibilitetin e gazetarëve si “agjentët” e të Vërtetës.

Në Ditën e Lirisë së Medieve, ne zakonisht protestojmë dhe është mirë që protestojmë, por kjo mbetet thjesht një punë teknike në qoftë se edhe nuk reflektojmë.

RTK-ja si transmetues publik s’duhet t’i nënshtrohet, të paktën jo tërësisht, ligjit të konkurrencës në treg, e me sa duket edhe s’po mundet, por duhet t’i shërbejë më shumë demokracisë në Kosovë.

Këtë mund ta bëjë duke u zhvilluar si “model” që rregullon skenën mediale, si organizatë mediatike me efekt “modelues” për mediet e tjera transmetuese. Ajo s’është por mund të ngritet në këtë nivel, në qoftë se mbështetet në “Vizionin 2020” dhe në qoftë se politika fillon ta kursejë pak më shumë.

Komisioni Parlamentar për Media ka kohë që është duke hartuar një ligj të ri për RTK-në, por ligji, ndonëse tepër me rëndësi dhe për të cilin shpresoj se nuk po “qepet për m’i ra tamon” ndonjë grupi të caktuar, është vetëm njëra nga dy këmbët që duhen për të siguruar ecjen përpara.

((Arben Fetoshi është gazetar me përvojë shumëvjeçare, njëherësh ligjërues universitar)