Lekë Tasi, i biri i guvernatorit të parë të Kosovës, që në Kosovë s’e përmend askush

2 javë më parë

Lekë Tasi, i biri i guvernatorit të parë të Kosovës, që në Kosovë s’e përmend askush

Gazetari Agron Shala është takuar në Tiranë me një nga personat më të veçantë që ai thotë t’i ketë takuar në jetë.

Bëhet fjalë për  piktorin e shkrimtarin, Lekë Tasi, të birin e guvernatorit të parë të Kosovës, shkruan AktivPress.

Se kush është me të vërtetë Lekë Tasi, çka e lidhë atë me Kosovën dhe pse Kosova nuk e përmend as atë e as familjen e tij, e shpjegon Shala me anë të një statusi në profilin e tij në Facebook.

Në vijim shkrimi i Shalës:

Lekë Tasi u lind më 1929 në një familje të pasur e të ngritur përmetare. Ai sot është piktor dhe shkrimtar i respektuar, ndoshta i vetmi i moshuar që nuk u “infektua” nga eksperienca e socrealizmit. Ndërkaq, në vitet 1939-1943 ka studiuar violonçelin nën drejtimin e pedagogut Ëalter Caletti.

Rinia e tij lidhet me Kosovën, dashurinë për të cilën kurrë s’e ka shuar. Kjo sepse babai i tij, Koço Tasi, jurist i diplomuar në Romë, në vitin 1941 ishte guvernatori i parë i Kosovës. Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi të na i sillte mësuesit. Por, Koço Tasi u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit. Teksa meritat e Koliqi së paku verbalisht çmohen, Koço Tasi është tërësisht i harruar.

Lekë Tasi, i cili që në fëmijëri ka ditur anglishten, frëngjishten dhe italishten, ka qenë për shumë vite çelisti i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, por pushteti komunist e dënon me punë të detyrueshme në bujqësi. Xhaxhai i tij, intelektuali i madh Akile Tasi, i diplomuar në Bolonjë – ish-ministër i Kulturës – vdes në Burrel. Babai i tij – deputet i Parlamentit të parë shqiptar, ish-ministër i Drejtësisë e kryetar i Gjirokastrës në momentet më të rënda të kërcënimit të grekomanëve – dergjet për 20 vite në Burrel. Burgjet i vuan edhe vëllai Napoleoni që ka përkthyer ndër të tjera sonetet e Ëilliam Shkespearet, sonetet e John Keatsit dhe George Byronin, motra këngëtare lirike, Tefta… Sikur kjo të mos mjaftonte, anëtarët e kësaj familjeje intelektuale edhe internohen, fat të keq të cilin e përjetoi Lekë Tasi për 15 vite.

Por, Lekë Tasi është njeriu më i qetë që mund ta takosh. Një njeri që rrezaton mirësi, si pakkush. Prej nga vjen kjo forcë e urtësi, pas gjithë atyre vuajtjeve? “Mbase se gjithë jetën isha optimist”, thotë Lekë Tasi.

Fatmirësisht, regjisori i ri Ervin Çoba ka realizuar një dokumentar për këtë njeri të madh. Shpresoj që dikujt nga Kosova t’i bie ndërmend ta promovojë atë edhe në Kosovë, të hapë ndonjë ekspozitë të tij e t’ia japë mirënjohjen e merituar kësaj familje të rrallë patriotësh e intelektualësh.

Koço Tasi ia ka hapë sytë Kosovës e fatkeqësisht ne po i mbajmë mbyllur ndaj tij dhe ndaj trashëgimtarëve të tij.

P.S. Meqë jemi në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duhet cekur se Koço Tasi ka themeluar administratën e parë lokale në Kosovë, ka administruar me ndershmëri taksat dhe ka emëruar edhe kryetarët e bashkive në Kosovë dhe në tokat tjera të çliruara, sipas standardeve më të mira, duke vënë në poste njerëz të aftë e të ndershëm, assesi jo injorantët e matrapazët!/AktivPress

Lekë Tasi e Agron Shala