Kursimet e shqiptarëve me rënien më të madhe historike

2 javë më parë

Kursimet e shqiptarëve me rënien më të madhe historike

Ulja e vazhdueshme e normave të interesit gjatë viteve të fundit ka shkurajuar kursimtarët shqiptarë që të mbajnë depozitat e tyre në banka. Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit dhjetor ishte 1 trilion lekë, duke rënë me 1.3% apo 13 miliardë lekë (gati 100 mln euro) në krahasim me dhjetorin e 2016-s.

Kjo është hera e parë që depozitat shënojnë rënie në historinë shqiptare të pas tranzicionit. Performanca më e dobët deri tani ishte shënuar në vitin 2015, me një zgjerim vjetor prej  0.8%.

Rënia në 2017-n ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e uljes së kursimeve në lekë, të cilat u reduktuan me 14 miliardë lekë, ose gati 3%. Kategoria me performancën më negative është ajo e depozitave me afat në lekë, që ra me 28 miliardë lekë, ose 10%. Ulja e vazhdueshme e normës së interesit bazë nga Banka e Shqipërisë, që nga shtatori i vitit 2011, kur filloi politikën monetare lehtësuese është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Në përpjekje për të nxitur ekonominë Banka tentoi të ulë koston e kredisë, ndërsa efekti tjetër ishte ulja e normave të interesit të depozitave. Aktualisht, kthimi për kursimet vjetore është rreth 1%, që realisht është negativ nëse kemi parasysh që inflacioni është rreth 2%. Në këto kushte, kursimtarët kanë tentuar të gjejnë alternativa të tjera, si letrat me vlerë të qeverisë, apo investime jashtë sistemit bankar.

Ndryshe nga leku, kursimet në valutë kanë vijuar të rriten edhe pse interesat nuk kanë qenë të favorshme as për euron. Depozitat në valutë arritën në 527 miliardë lekë në dhjetor 2017, me një rritje të lehtë vjetore me rreth 0.2%, por këtu duhet të kemi parasysh dhe efektin e zhvlerësimit të euros vitet e fundit.

Rënia e depozitave në lekë dhe rritja e atyre në valutë (që në pjesën më të madhe janë euro) ka bërë që pesha e kursimeve në valutë ndaj totalit të arrijë në 53%, me rritje prej 1 pikë përqindje në raport me një vit më parë, niveli më i lartë rekord ky. Kjo rritje vjen teksa Banka e Shqipërisë i ka shpallur hapur luftë euros, me disa masa të prezantuara së fundmi, të cilat synojnë të rrisin koston e përdorimit të euros. Kjo i ka vënë bankat në dilemë se çfarë të bëjnë me këtë nivel të lartë valute, që ato kanë në pasivet e tyre./Monitor.al