5 muaj më parë

Kur të dhunuarat i trajtonin dhunuesit si dashnorë

Kur të dhunuarat i trajtonin dhunuesit si dashnorë

Në vitin 1996, pata lexuar një studim të gjatë për gratë e dhunuara myslimane gjatë luftës së fundit në Bosnjë dhe autor i studimit ishte një sociolog evropian.

Studimi ishte tepër tundues. Kur forcat serbe, kryesisht paramilitarët e kriminelit Željko Ražnatović – Arkan dhe formacione tjera ushtarake e paraushtarake serbe arrestonin qindra gra myslimane, të cilat i mbanin peng dhe i përdhunonin me muaj të tërë. Gjatë përdhunimeve sistematike të grave fatkeqe, në studim flitej se pas disa muajsh, këto të fundit kishin nisur që paramilitarët serbë t’i trajtonin si dashnorë dhe sikur raportet e tyre ishin ndërtuar në situata normale.

Deklaratat e fundit të liderëve kosovarë për pajtim dhe kompromise të dhembshme me Serbinë, më rikthyen kujtesën e këtij studimi të trishtë. Gjërat në Kosovë kanë degraduar aq shumë, sa xhelati ka marrë rolin e viktimës dhe anasjelltas. Të kërkosh pajtim para fillimit të dialogut dhe të paralajmërosh kompromise të dhembshme me Serbinë, kjo do të thotë se liderët kosovarë kanë kapitulluar para se të nisë dialogu me palën serbe. Jemi dhunuar aq shumë si komb nga të gjitha regjimet serbe që nga viti 1912, sa situatat paranormale kemi nisur t’i trajtojmë si normale.

Këtë status desha ta ilustroj edhe me një fakt, derisa gjithandej Kosovës kanë ndodhur rreth 200 mijë raste të këtilla. Mbas luftës, kur hyra në oborrin e shtëpisë time në vendlindje, nuk kisha mundësi t’i identifikoja themelet e rrënuara të shtëpisë dhe të objekteve ndihmëse. Ishte rrënuar e vjedhur gjithçka dhe për ironi, forcat serbe nuk e kishin djegur vetëm një kosh misri. Ishte e vetmja shenjë që identifikonte pronat e familjes!

As Qeveria e Përkohshme e UNMIK-u në fillim, as Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i më vonë, nuk e skanuan gjendjen e luftës së fundit në Kosovë ku kishin humbur jetën mijëra shqiptarë, ishin përdhunuar mijëra gra e vajza shqiptare, derisa kishim humbur mijëra prona në vlerë prej disa miliarda dollarësh.

Pasluftën e nisëm me duar në xhepa, prandaj edhe në Bruksel do të shkojmë me duar në xhepa, por tash me një dallim; ne jemi “xhelati”, ndërsa serbët janë “viktima”.