2 muaj më parë

Krimi mbi gjeneratat dhe fuqia e injorancës

Krimi mbi gjeneratat dhe fuqia e injorancës

Vite më herët, një koleg rrëfente se si një deputet i sapozgjedhur e kishte pyetur se ku qëndron dallimi mes ekzekutivit dhe legjislativit. Këto dy shprehje i kishte dëgjuar edhe para fushatës zgjedhore, e besa nganjëherë i kishte përdorur edhe vetë gjatë fushatës, por asnjëherë nuk e kishte ditur kuptimin e saktë të tyre. Thjesht i kishte përdorur ato sa për t’u hequr i ditur. Por tash që po mësynte Kuvendin, kërkonte ta qartësonte mëdyshjen.

Ne që asokohe e dëgjonin këtë rrëfim, s’e merrnin bash të mirëqenë. Më shumë dyshonim në kolegun tonë se po bënte shou me nivelin e deputetit, sesa që i votuari i popullit ishte vërtet ashtu siç e pasqyronte ai. Më vonë, kur deputeti nisi të shkruajë nëpër rrjete sociale, e vërtetoi se kush është dhe sa di. Në dy rreshta tekst i bënte së paku dhjetë gabime ortografike e logjike. I njëjtë është edhe sot. E megjithatë, ai nuk është i “pashkollë”. Ka diplomë të arsimit të lartë. Se si e ka marrë atë, veç ai dhe ata që ia kanë dhënë e dinë.

E keqja në gjithë këtë rrëfim është se të tillë të “arsimuar” si ky deputet ka jo vetëm në legjislativ por edhe në ekzekutiv, në kompani publike e në ndërmarrje shoqërore, në borde të pavarura e në agjenci shtetërore, në institute e në universitete, në organizata të shoqërisë civile e në mekanizma të sigurisë. Të tillët, të veshur me pushtet, e me autoritet të rremë, pa dyshim se hiqen të mençur. Dhe, janë tepër aktiv. I sheh kudo duke folur për suksese dhe duke i shfaqur vizionet për një të ardhme më të mirë të qytetarëve e për forcim të shtetit. Kundruall tyre, inteligjenca është e strukur dhe vrojton në heshtje rrënimin e shoqërisë.

“Shqiptarët nuk lexojnë më, ndaj nuk kuptojnë më. Ata tashmë janë qenie sipërfaqësore, që hanë, pinë, rrinë dhe vegjetojnë, që e hapin ditën me lajme të gatshme, analistë dhe analiza të blera, martesa injorantësh bujashumë, telenovela anadollake dijevrasëse, foto blogjesh koketash trutharë, vipa dhe vipesha të politikës shqiptare që përpiqen që me arrogancën e zërit, makinat, rraqet firmato dhe ndërhyrjet plastike, të zhdukin kujtesën kolektive të gjynaheve të tyre ndaj shqiptarëve”. Kështu e përkufizon gjendjen që mbretëron edhe matanë kufirit, Brizida Gjikondi. Me të drejtë ajo e citon Gëten të ketë thënë se: “Asgjë nuk është më e tmerrshme se injoranca aktive”. Ja që, rrjetet sociale sot nuk e mbulojnë këtë injorancë.

Dy fjali koti të mbushura me fjalë fyese, nxisin reagimin e masave qytetare qindra herë më shumë sesa një shkrim që flet për ndonjë të arritur në ndonjë fushë të caktuar. Një lajm për zhveshjen e një këngëtareje turbo-folku lexohet qindra herë më shumë se një lajm për ngecjen në zhvillimin ekonomik. Më shumë bën bujë një lajm për syneti, ku të pranishëm janë edhe politikanët, se një lajm që tregon për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit nga po të njëjtët politikanë.

Dalldia rritet në rastet e dhunës, siç ishte ky i fundit mes dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Të paktë janë ata që nuk shkruan diçka për këtë skandal. Shumica, ose e mbrojtën sulmuesin ose të sulmuarin. Ua bënë gjyqin se cili kishte të drejtë e cili jo. Të paktë janë ata që nuk i dhanë të drejtë as nxitësit të dhunës e as dhunuesit. Por, a mund të pritet një reagim ndryshe nga një shoqëri që po brumoset me injorancë për shkak të shkatërrimit të sistemit arsimor.?!

Qindra arsimtarë që dyshohen për falsifikim të diplomave, sot kapin ditarët dhe mësyjnë klasat për t’u shpërndarë “dituri” brezave të rinj. E nxënësit fatkeq janë të detyruar të bëhen gjithë sy e vesh para falsifikatorëve. Detyrohen t’u përgjigjen atyre që as vetë nuk e dinë as nuk e kuptojnë atë që thonë. Janë të detyruar sepse shteti ua ka mundësuar falsifikatorëve të punojnë e veprojnë lirshëm pa drojën se mund të përfundojnë në pranga. Prokuroria ua ka parashkruar lëndët me arsyetimin se janë vjetruar, ndërsa Ministria e Arsimit ua ka përligjur diplomat false. I kanë lënë të bëjnë krim mbi gjeneratat.

S’do mend se tash ndonjë i nivelit të tyre mund të ketë dhënë “kontribut” në librin e Edukatës Qytetare për nxënësit e klasës së gjashtë, në të cilin emrat e pesë komunave janë të shkruar: Gjilanë, Ferizajë, Istogë, Deqanë, Kaqanikë. Pra, të gjithë gabim. E kështu nxënësit e nivelit të ulët, si ata të Jezercit e kryejnë klasën e tetë pa ditur shkrim e lexim. Rruga e tyre e “mësimnxënies” nuk ndalet aty. Ata i marrin diplomat e arsimit të mesëm, e më pas mësyjnë universitetin.

Profesorët universitarë ankohen se pjesa dërmuese e atyre që u nënshtrohen provimeve pranuese nuk e dinë përmbajtjen e lëndëve të shkollës së mesme. Pa çka!. Nëse universiteti publik nuk ua hap derën, janë dhjetëra dyer të tjera që i presin me buzëqeshje. Janë kolegjet private ato që arsimin e kanë shndërruar në biznes dhe s’u intereson tjetër pos parasë.

“Njëmijë veta nga një mijë euro, një milion euro”. Kjo është llogaria e thjeshtë që një kolegj-biznes e ka si synim për ta përmbushur sivjet. Të jemi të qartë – kjo shifër është vetëm për një drejtim. Imagjinoni sa mund të jetë shifra për të gjitha drejtimet. Dikush ka pretenduar t’u vërë prag bizneseve të tilla, por kanë përfunduar në rrugë. Me urdhrin e shefit të Qeverisë, i cili vetë ka diplomuar pasi është bërë lider politik, ata janë shkarkuar në emër të “parregullsive serioze”.

Një i shkarkuar i tregoi kryeministrit se nuk është pajtuar që arsimi i lartë të duket si një biznes qebaptoresh, përderisa një tjetër ia bëri të ditur se Agjencia e Kosovës për Akreditim ua ka ndaluar punën mbi 60 profesorëve nga rajoni të cilët kishin ofruar deklarime të rreme në Agjenci për qëllime të akreditimit. Disa nuk kishin dijeni që emri i tyre përdorej nga institucionet e arsimit në Kosovë, e disa nuk kishin qenë asnjëherë në Kosovë. E pra, ato kolegje i shohim çdo mbrëmje nëpër TV e nëpër gazeta duke bërë oferta për arsim cilësor e për karrierë të ndritur.

Në këtë mes, një pjesë të përgjegjësisë për rritjen e masës së injorancës e bartin edhe gazetarët. Kolumnisti i New York Times, Nikolas Kristof, thotë në një rast se “ne që merremi me gazetari meritojmë që t’i kemi ‘këmbët mbi zjarr’. Ne bëjmë gabime gjithë kohën, dhe shumë shpesh jemi sipërfaqësorë, sensacionalistë, të padrejtë, mbrojtës apo të zbavitur prej objekteve të shkëlqyeshme”. Kështu të gjithë bashkë sillemi në uraganin e injorancës. E uragani nuk shkakton pasoja në mënyrë përzgjedhëse. Prej tij, pësojnë të gjithë, pa përjashtim!