Kosova kërkon ekstradimin e izraelitit të akuzuar për trafikim organesh

9 muaj më parë

Kosova kërkon ekstradimin e izraelitit të akuzuar për trafikim organesh

Kosova i kërkon Qipros ekstradimin e një shtetasi izraelit që akuzohet si kreu i një rrejti për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të veshkave.

Moshe Harel, i cili u arrestua më 5 janar në Qipro, akuzohet për përfshirje në rekrutimin e 20 shtetasve nga Moldavia, Kazakistani, Rusia, Ukraina e Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë. Ai ishte shpallur i kërkuar që në vitin 2010.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri shkroi në rrjetet sociale se “do të bëj çfarëdo që është e mundur që ky person, i cili përveç veprave penale, ka bërë një dëm të madh ndaj imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, të sillet para organeve të drejtësisë për t’u përgjigjur për veprat e bëra”.

Në prill të vitit 2013, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, shpalli fajtor dhe dënoi me gjithsej 20 vjet e tre muaj heqje lirie pesë persona nën akuzat për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.

Aktakuza përfshinte edhe shtetasin izraelit, Moshe Harel, si kreun e e rrjetit për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të organeve, ndërsa mjekun turk Yusuf Sonmez, për kryerje të operacioneve në klinikën private Medicus në Prishtinë. Por, asnjëri nuk është vënë para drejtësisë në Kosovë.

Gjithçka i zbulua në vitin 2008 kur një shtetas turk u gjet në gjendje të rëndë në aeroportin e Prishtinës pasi i ishte marrë veshka.

Në vitin 2016 Gjykata e lartë e Kosovës urdhëroi rigjykimin që aktualisht është në proces e sipër.

Në prill të vitit 2012, trupi gjykues i drejtuar nga EULEX-i kishte vendosur të thërras raportuesin e Këshillit të Evropës Dick Marty, si dëshmitar në proces. Atëbotë u tha se “Dick Marty pretendon e se ka disa informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj do të kërkohet që ai të tregojë se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”.

Por, gjykata tha se nuk ka siguruar dot përkrahjen e Këshillit të Evropës, meqë asambleja Parlamentare e këtij këshilli kishte refuzuar kërkesën e tij.

Mbrojtja e të akuzuarve, kishte vlerësuar atëbotë se përfshirja e zotit Martty, do t’i jepte drejtim politik procesit, i cili nuk ka të bëjë me pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës.

Në fund të vitit 2010, Dick Marty ngriti pretendimet se pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të ishin përfshirë në rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Raporti i tij çoi në një proces të gjatë hetimesh që u pasuan me ngritjen e në Gjykate të Posaçme me seli në Hagë, që do të trajtojë këto pretendime. Gjykata që do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, u ngrit në gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Më shumë se dy vjet më pas, në dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e saj, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda për shtetin e ri, që muajin e ardhshëm kremton dhjetë vjetorin e pavarësisë./voa