Kosova do Ushtrinë, NATO rithekson ndryshimet kushtetuese

1 javë më parë

Kosova do Ushtrinë, NATO rithekson ndryshimet kushtetuese

Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në partneritet me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka filluar Konferenca rajonale e sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë.”

Në fjalinë hyrëse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka vlerësuar se Kosova në dhjetëvjetorin e saj ka dëshmuar se është duke kontribuar si shtet faktor i paqes, stabilitetit dhe forcimit të demokracisë në regjionin e Ballkanit, përcjellë AktivPress.

“Transformimi i saj në Ushtri të Kosovës është proces i pandalshëm, i domosdoshëm dhe në interes të të gjitha palëve që aspirojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat evro-atlantike. Duke qenë i tillë dhe besojmë se shumë shpejt ky process do të përmbyllet, në harmoni me kushtetutën dhe vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shteti i Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, padallim etnie apo religjioni, dhe të gjithë përfitojnë nga avancimi dhe fuqizimi i tij”, ka thënë ai.

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se se asnjë shtet nuk është i vetë-mjaftueshëm për sigurinë nacionale.

“Kosova si shtet e ka të vendosur rrugën e vet: Ne nuk jemi shtet neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme. Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO. Ne e duam NATO-n të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë. Ne kemi të drejtë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se Kosova synon që brenda kësaj dekade (pra, deri në vitin 2020), të arrijë fazën e Dialogut për anëtarësim në NATO.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli,  ka falënderuar komunitetin ndërkombëtarë dhe NATO-n për kontributin e dhënë në Kosovë, ndërkohë ka kërkuar që Kosova të fillojë procesin e anëtarësimit në NATO.

“Prania e KFOR-it e domosdoshme, por fillimi i negociatave për anëtarësim në NATO është i domosdoshëm. Kosova multietnike – në NATO-n shumëkombëshe. Në Kosovë flamujt e NATO-s – duam që në NATO të valojë flamuri i Kosovës, në Kosovë shumë ekspertë të NATO-s, duam që edhe ekspertët e Kosovës të jenë në NATO. Duam që Kosova të kontribuojë me ekspertizën e vet në NATO dhe misionet e NATO-s jashtë”, ka thënë Pacolli.

Në këtë konferencë ka folur edhe ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem.

Ai ka inkurajuar palët e dialogut, Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun, pasi sipas tij, kjo është rruga që NATO mbështet.

“Është shumë me rëndësi dhe NATO-ja i mbështet përpjekjet për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem.

Lidhur me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, Ildem theksoi se kjo duhet bërë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ai ka folur edhe për të ardhmen e rajonit. “Ne mbështesim aspiratat euroatlantike të popullit në rajon dhe besojmë fuqishëm se vlerat demokratike, sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk janë luks, por parakushte për paqe dhe zhvillim”.

Në këtë konferencë, në panele të ndara, kanë marr pjesë përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të NATO-s, ekspertë rajonal dhe ndërkombëtar./AktivPress