Kontrata me Operatorin e papërgjegjshëm

3 ditë më parë

Kontrata me Operatorin e papërgjegjshëm

Komuna e Kamenicës e ka nënshkruar një kontratë prej 292 mijë eurove me operatorin që i mungonin certifikatat e kërkuara në dosjen e tenderit, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kjo e fundit kishte lëshuar një opinion për aktivitetin e prokurimit “Asfaltimi i Rrugës Kopernicë- Pusi i Zenelit – SHFMU”, në të cilën është konstatuar se disa nga operatorët që kanë ofertuar në këtë proces të prokurimit, duke përfshirë edhe atë që ishte rekomanduar për kontratë, nuk ishin të përgjegjshëm.

Por, opinioni i AKK-së është lëshuar 16 ditë pasi Komuna e Kamenicës e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Zuka Komerce”, së cilës i mungonin këto certifikata. Dy ditë pasi që ishte lëshuar ky opinion i AKK-së ishte nënshkruar edhe kontrata për realizimin e këtij projekti.

Opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsionit është dhënë më 16 gusht 2017, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës është bërë me datën 1 gusht 2017. E nënshkrimi i kontratës është bërë me datën 18 gusht.

Gjatë trajtimit të dokumentacionit në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit, AKK ka konstatuar se jo të gjithë operatorët ekonomikë konkurrues janë të përgjegjshëm në lidhje me kërkesat që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë profesionale, konkretisht me certifikatat ISO të kërkuara për këtë tender.

“Operatori ekonomik i cili është rekomanduar për dhënie të kontratës “Company Zuka Commerce” nuk i posedon certifikatat: certifikatën për menaxhim të cilësisë dhe certifikatën për cilësi të asfaltit dhe betonit”, thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion drejtuar Komunës së Kamenicës.

Por në opinionin e AKK-së thuhet se OE “Company Zuka Commerce” ka arritur marrëveshje me OE “Tali” për posedimin e certifikatave ISO të nevojshme nga ana e furnitorit “Tali” për nevoja të “Company Zuka Commerce”.

“Si përfundim OE i rekomanduar për dhënie të kontratës ‘Company Zuka Commerce’ sh.p.k në këtë aktivitet të prokurimit nuk ka hyrë si konzorcium me ndonjë OE, mirëpo ka bërë vetëm një marrëveshje interne me OE ‘Tali’ për posedim të certifikatave ISO të cekura si më lart”, potencohet në opinionin e AKK-së.

Tutje AKK-ja e ka cituar neni 71 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe nenin 27.3 të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik.

“Në nenin 27.4 e Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik thuhet që secili anëtar i grupit duhet të përmbushë kërkesat e përshtatshmërisë, neni 65 i LPP-së, ndërsa çdo kërkesë e vendosur nga një autoritet kontraktues sipas neneve 66.2, 68 dhe 69 të LPP-së do të aplikohen vetëm ndaj grupit si tërësi dhe jo ndaj anëtarëve individualë të grupit”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Më tej në opinion thuhet se OE “Papemburg & Adriani Company” në dosjen e tij ka ofruar certifikatën për menaxhimin e cilësisë dhe certifikatën për cilësi të asfaltit dhe betonit. Kurse konzorciumi “EL-Bau & EING-COM”, OE “El Bau” nuk i kanë poseduar asnjërën nga certifikatat për ISO standarde të kërkuara nga ana e autoritetit kontraktues.

Gazeta JnK ka kërkuar përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit për këtë tender, mirëpo ata nuk janë përgjigjur përkundër premtimeve të vazhdueshme.

Ndërsa, Ejup Kastrati, udhëheqës i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Kamenicës respektimi i opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit do të nënkuptonte eliminimin e ofertuesit më të lirë.

“Do të favorizonte ofertuesin “Papenburg & Adriani” për 51 mijë e 485 euro më shtrenjtë. Po i njëjti ka pasur çmim jonominalisht të lartë dhe të pakuptimtë në pozicionin V.1 deri V.6 ‘prishja e urës’ në vlerë prej 7 mijë e 311 eurove, ndërsa koston e ndërtimit e ka paraqitur 9 mijë e 522 euro”, ka potencuar Kastrati.

Sipas Kastratit, Komuna e Kamenicës me dhënien e kësaj kontrate nuk e ka dëmtuar buxhetin komunal.

Kurse opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit e ka vlerësuar si joobligativ dhe këshilldhënës.

Tre operatorët konkurrues kanë qenë operatorët ekonomikë, “Company Zuka Commerce”, “Papemburg & Adriani Company” dhe konzorciumi “EL-Bau & EING-COM”. Çmimin më të ulët në mesin e operatorëve ekonomikë konkurrues e ka pasur “Company Zuka Commerce”, që ofertoi me 288 mijë e 310 euro, i cili edhe është rekomanduar për dhënie të kontratës nga ana e komisionit vlerësues.

Autoriteti kontraktues- Komuna e Kamenicës me datën 09.06.2017 ka publikuar në ueb- faqen e KRPP-së njoftimin për kontratë me titull “Asfaltimi i Rrugës Kopernicë- Pusi i Zenelit – SHFMU” në procedurë të hapur, kontratë për punë me vlerë të mesme.

Më 12.06.2017 autoriteti kontraktues- Komuna e Kamenicës ka publikuar në ueb-faqen e KRPP-së njoftimin për anulim të aktivitetit të prokurimit me titull “Asfaltimi i Rrugës Kopernicë Pusi i Zenelit – SHFMU” me arsyetimin si në vijim: “Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është e nevojshme për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të domosdoshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”.

Ndërsa më 15.06.2017 autoriteti kontraktues – Komuna e Kamenicës ka publikuar në KRPP përsëri aktivitetin e prokurimit “Asfaltimi i Rrugës Kopernicë Pusi i Zenelit – SHFMU” në ritenderim.

Sipas njoftimit në fjalë, afati i fundit për pranimin e tenderëve ka qenë deri më datën 11.07 2017, po në këtë datë është paraparë të bëhej edhe hapja e ofertave në orën 14:00./kallxo.com