Ismet Hamiti tregon si u plaçkit Telekomi

6 ditë më parë

Ismet Hamiti tregon si u plaçkit Telekomi

Përqindja ka ndryshuar në faza të ndryshme, por shuma që i është marrë Telekomit të Kosovës tejkalon shumën e gjithë pasurisë shtetërore të privatizuar deri tani.

Kontratat me Monaco Telekomin dhe ajo me Z-Mobile, sipas ekspertit të Telekomunikacionit, Ismet Hamiti, kanë tjetërsuar të hyrat e Telekomit në mënyrë më të egër dhe e kanë sjellë në situatë që të mos jetë në gjendje t’i mbulojë as shpenzimet e veta afariste. Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai është shprehur se Telekomi i Kosovës sot i ngjan një shtëpie të plaçkitur. Telekomit të Kosovës i janë tjetërsuar të hyrat në mënyrën më të egër dhe në vazhdimësi deri sa është sjellë në situatë që të mos jetë në gjendje t’i mbulojë as shpenzimet e veta afariste.

Hamiti si faktorë kryesorë që e kanë sjellë Telekomin e Kosovës në këtë gjendje i konsideron dy kontrata përmes së cilave janë tjetërsuar të hyrat e Telekomit në përmasa të mëdha.

“E para është kontrata me Monaco Telekomin, me të cilën në vazhdimësi PTK-së iu morën shuma kolosale të të hyrave, që nga dita e parë deri në ditët e sotme. Individët në UNMIK, në bashkëpunim me figura politike vendore të kohës dhe të qeverisë franceze, i imponuan PTK-së një kontratë në bazë të së cilës PTK detyrohej t’ia jepte rregullisht një përqindje të konsiderueshme të të hyrave të veta. Përqindja ka ndryshuar në faza të ndryshme, por shuma që i është marrë Telekomit të Kosovës tejkalon shumën e gjithë pasurisë shtetërore të privatizuar deri tani. Por ky nuk ishte dëmi i vetëm që iu shkaktua Telekomit të Kosovës. Dëm edhe më i rëndë ishte eliminimi ose mënjanimi i gjithë profesionistëve të telekomunikacionit që kishte PTK-ja, për shkak se kundërshtuan këtë kontratë. Eliminimi i këtij kuadri i hapi rrugë vendosjes në krye të PTK-së të individëve të papërgjegjshëm, të padijshëm dhe me prirje kriminale, të cilët quan në veprime të tjera që dëmtuan rënd afarizmin e Telekomit të Kosovës. Një veprim i tillë është kontrata me Z-Mobile, që është faktori i dytë që krijoi gjendjen e rëndë në PTK. Pa hyrë në hollësi, dua të theksoj se me këtë kontratë PTK-ja ia dhuron 30 për qind të klientëve të vet, pra 30-përqindëshin e të hyrave të veta, një kompanie private. Ka shumë vjet që jam duke vënë në dukje se kontrata e PTK me Z-Mobile është një mekanizëm për plaçkitjen e të hyrave të Telekomit të Kosovës në përmasa të mëdha”, ka thënë eksperti Hamiti.

Sipas Hamitit, të gjitha qeveritë e pasluftës, të cilitdo krah politik të kenë qenë, përfshirë edhe këtë të sotmen, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rolin kryesor në të gjitha zhvillimet negative në Telekomin e Kosovës. Dhe jo vetëm qeveritë, por edhe pushtetet e tjera, si Parlamenti, sistemi i ndjekjes dhe ai i drejtësisë.

“Kontrata me Monaco Telekomin u kundërshtua fuqishëm nga të gjithë profesionistët e PTK-së. Të gjitha figurat politike të kohës ishin në dijeni për këtë kundërshtim dhe për pasojat negative të kësaj kontrate për PTK-në. Asnjëri nuk e luajti as gishtin e vogël për t’u dalë në krah profesionistëve të PTK-së. Përkundrazi figurat kryesore politike të kohës u bënë palë me Qeverinë franceze për ta mbështetur këtë kontratë. Edhe më vonë, kur erdhi koha për vazhdimin e kësaj kontrate, thirrja dramatike për ndihmë e drejtorit të Telekomit ra në vesh të shurdhër. Në letrën e vet, drejtuar të gjitha autoriteteve vendore e ndërkombëtare, drejtori i Telekomit inxh. Bedri Rama shkruante: ‘Ju shkruaj për të kërkuar kyçjen e institucioneve të Kosovës në negociatat rreth kontratës me Monako Telecomin, sepse kemi të bëjmë me një problem me peshë të madhe ekonomike për vendin. Më shumë se tre vjet më parë PTK-së iu imponua një kontratë shumë e pavolitshme me Monako Telekomin . Sipas kësaj kontrate, më shumë se gjysmën e fitimit nga shërbimet mobile, ose 50 deri 70 milionë euro, e merr Monako Telekomi. Ky është, pa asnjë dyshim, dëmi më i madh ekonomik që i është shkaktuar Kosovës, pas luftës’. Edhe për kontratën me Z-Mobile, të gjitha autoritetet kanë qenë në dijeni të plotë për pasojat e dëmshme të saj, që në zanafillën e nismës për krijimin e “operatorit virtual”. Për këtë kam folur qysh më 4 e 5 maj 2007 dhe në vazhdimësi pas kësaj, për 11 vjet me radhë. Asnjë person përgjegjës nuk ka ndërmarrë asgjë për ta penguar, por përkundrazi e kanë mbrojtur atë me pasion. Të gjitha hollësitë rreth natyrës kriminale të kësaj kontrate i kam paraqitur në kallëzimin tim në prokurori. Prandaj mund ta përsëris me siguri të plotë se politika është përgjegjësja kryesore për gjendjen e krijuar në Telekomin e Kosovës”, ka shtuar Hamiti.

PTK-ja ka ndjekur politikën e politikanëve, ka shtuar Hamiti. Qëllimi i kësaj “politike kadrovike” ishte vënia nën kontroll i të hyrave nga Telekomunikacioni për përfitime partiake e personale. i kishte punët mirë kur vendi nuk kishte qeveri.

“Në të vërtetë eliminimi i profesionistëve të PTK-së filloi edhe para krijimit të Qeverisë së parë dhe në këtë punë u përfshinë edhe qarqe nga nuk pritej fare. Letra e shkruar me dorë e shefit të zyrës franceze dërguar drejtorit të Telekomit me rastin e aplikimit të tij për vizë franceze shantazhon hapur dhe e akuzon drejtorin e Telekomit si person që punon kundër interesave franceze, vetëm pse drejtori i Telekomit kundërshtonte në të gjitha mënyrat kontratën me Monako Telekomin! Atë që e nisi shefi i zyrës franceze e vazhduan politikanët tonë. Ata e persekutuan në mënyrën më të ndytë drejtorin e Telekomit dhe mënjanuan kolegët e tij, derisa Telekomin e Kosovës e sollën nën kontrollin e vet të plotë. Inxh. Bedri Rama,i cili tani nuk jeton më, ishte shembull i profesionistit patriot që refuzoi të bëhej vegël e dikujt dhe që u mbeti besnik idealeve të tij për një Kosovë të lirë e te përparuar, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Lufta prodhon heronj, por edhe koha e paqes i ka heronjtë e vet. Inxh. Bedri Rama, drejtor i parë Telekomit pas lufte, është hero i paqes, por edhe i luftës. Ai është hero i dyfishtë i Kosovës”, ka deklaruar Hamiti.

I pyetur se çka do të duhej të bëhej në mënyrë që kjo kompani t’i ikte degradimit që është duke e përjetuar, Hamiti u përgjigj:

Ajo që duhet të bëhet e që është dashur të bëhej kaherë, është të ndërpritet tjetërsimi i të hyrave të Telekomit të Kosovës. Kjo, veç tjerash, nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me Z-Mobile, shpalljen e kësaj kontrate produkt të krimit të organizuar dhe emërimi i një menaxhmenti profesional me detyrë që të bëjë ristrukturimin kompanisë dhe brenda dy vjetëve ta kthejë atë në gjendje normale.

Ndërsa pse ndryshe nga Telekomi, operatorët e tjerë po e zhvillojnë veprimtarinë me fitim, ing Ismet Hamiti e arsyeton me faktin se operatorëve të tjerë nuk iu imponohet menaxhmenti, nuk kanë kontratë për dhënien e një pjese të të hyrave Monako Telekomit, nuk janë të detyruar t’ia dhurojnë 30 për qind të të hyrave të veta një kompanie tjetër dhe kanë pipat e vet në ARKEP dhe në PTK, që i përdorin kurdo që t’u duhen.

Ai, ndryshe nga opsionet e trumbetuara se Telekomit të Kosovës i ka rënë vlera, pohon se Telekomit të Kosovës nuk i ka rënë e as nuk mund t’i bjerë vlera, sepse është aty ku ka qenë, me tërë infrastrukturën e vet dhe me vlerë të pacenuar. Telekomi i Kosovës nuk ka asnjë arsye të nxirret në pazar.

E se çfarë duhet bërë konkretisht me këtë aset ai përgjigjet:

Telekomi i Kosovës të mbetet kompani publike fitimprurëse, nën mbikëqyrjen e përgjegjshme publike dhe e çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Unë jam i bindur se Telekomi i Kosovës mund dhe duhet të bëhet mbështetës i fuqishëm i buxhetit të shtetit.