“Ish-Komisioni e ka ditur se Kosova po humb tokë”

1 javë më parë

“Ish-Komisioni e ka ditur se Kosova po humb tokë”

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi para Komisionit për Integrime Evropiane tha se ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat e veta ngase ka qenë i ngarkuar vetëm me demakrimim e jo në vendosjen e një vije të re kufitare siç ka rezultuar.

“Puna e ish-komisioni ka kaluar kompetencat e veta në start, ka qenë i themeluar vetëm për një detyre demarkamin dhe shënjimin për mirëmbajtjen e kufirit po në asnjë formë dhënie të re të vijës kufitare. Puna e tyre ka qenë ta identifikoj ish-kufirin administrativ. Kjo ka shkaktuar në humbjen e territorit ngase vija kadastrale është shndërruar në vijë administrative. Komisioni ka sjellë domenet jo-relevante duke u munduar të sjell dokumente voluminoze”.

Sipas tij, pala kosovare sipas tij, qysh në takimin e dytë me palën malazeze e ka pas të qartë se po humbet territor.

Bulliqi sqaroi se kanë zhvilluar takime pune në Kroaci e Slloveni, me qëllim të sigurimit dhe verifikimit të të dhënave faktografike, konsultimeve dhe shkëmbimeve të përvojave me zyrtarët relevantë të këtyre shteteve.

Ai premtoi se po bëjnë përpjekje që sa ma shpjet t’i bëjmë të ditura këto të gjeturat e t’i dorëzojnë edhe në qeveri.

Kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj në mbledhjen e parë ka shkarkuar kryetarin e Komisionit për shënjimin e kufizimit me Malin e Zi Murat, Mehën, në vend të tij e emëroi ish-deputetin e LDK-së, profesorin e Gjeografisë, Shpejtim Bulliqin.

Bulliqi ishte kundërshtari i madh i marrëveshjes për kufirin duke ofruar edhe dokumente që dëshmonin të kundërtën që kishte konstatuar komisionin shtetëror.

Kreu i AAK-së sa ishte opozitë bashkë edhe me Vetëvendosjen dhe partnerin e koalicionit të tanishëm Nisma për Kosovë, mandatin e kaluar kanë kundërshtuar versioni aktual të marrëveshjes me shtetin fqinjë nën pretendimet se Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektar nga ky demarkim.

Marrëveshja u nënshkrua më 26 gusht nga atëherë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Ajo ndonëse u soll në Kuvend nga Qeveria nuk u hedh as një herë në votim. Ratifikimi i kësaj marrëveshje në Kuvend u vendos si kusht për të fituar liberalizimin e vizave, nga Bashkimi Evropian (BE)./eo