Imami që përcillte meshat e Fan Nolit

2 muaj më parë

Imami që përcillte meshat e Fan Nolit

Nga Bajram Mjeku

Se ç’është toleranca fetare e dinjiteti njerëzor dhe si shkohet gjithë jeta në shërbim të atdheut, këtë e dëshmon më së miri ky burrë në foto, i cili si luftëtar i Rezistencës antikomuniste u largua nga Shqipëria në tetor të vitit 1948 dhe për të të gjallë, nuk e pa më asnjëherë Shqipërinë. Është Hamit Perolli, i cili u lind në Perollaj të Hasit të Shqipërisë në vitin 1913.

Hamit Perolli para se të largohej nga Shqipëria, ishte imam i xhamisë në vendlindjen e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupi i tij dhe ai i Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi luftuan kundër fashistëve italianë. Grupi ushtarak i Hamit Perollit më vonë iu bashkua Lëvizjes Fronti i Përbashkët, që udhëhiqej nga Gani Bej Kryeziu. Në këtë Front, Abaz Kupi përfaqësonte krahun e djathtë politik, Mustafa Gjinishi të majtin, ndërsa këshilltar politik ishte, Lazar Fundo.

Në vitin 1943, Gani Bej Kryeziu themeloi partinë Lidhja Katundare, e cila për mision kishte bashkimin e trojeve shqiptare. Në shtator të vitit 1944, komunistët rrethuan Grupin nacionalist dhe arrestuan Gani Kryeziun e Lazar Fundon. Duke dashur që t’i ikte luftës civile, Gani Kryeziu shpërndau grupin dhe u kthye në Gjakovë.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, jeta e familjes Perolli ishte e trishtë dhe dramatike. Kjo familje kaloi me vite të tëra në kampe përqëndrimi. Në fillim jetuan në Gjakovë, pastaj në Podujevë, Vushtrri, Kamenicë, më vonë në Vojvodinë dhe në Sisovec të Shumadisë. Në këtë të fundit, si pasojë e kushteve të rënda vdiq Skënderi, djali dy vjeç i Hamitit.

Familja e imam Hamit Perollit jetoi në ish-Jugosllavi deri në vitin 1954. Këtë vit migruan në Itali dhe qëndruan deri në vitin 1956. Më 6 nëntor të këtij viti, familja Perolli bashkë me atë të kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva nga Aeroporti i Romës fluturuan drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ateruan në Aeroportin John F. Kenedy, i cili atëbotë quhej Adlewild Airport.

Bashkë me familjet Perolli e Deva udhëtonte edhe Said Kryeziu, vëllai i vogël i Gani Kryeziut më vonë sekretar i Komitetit Shqipnia e Lirë, pastaj Gaço Goga nga Korça, ndër më të shquarit e Lëvizjes së Legalitetit, si dhe familjet e Miftar Spahisë, Ramazan Qosjes, Mark Shalës nga Malësia e Shkodrës, i cili i përkiste Bllokut Independent, si dhe disa familje tjera të shquara. Kishte edhe personalitete tjera të shquara, të cilët më vonë themeluan Komitetin Shqipnija e Lirë, si dhe funksionarë të katër partive kryesore politike si Balli Kombëtar, Legaliteti, Partia Katundare dhe Blloku.

Tri partitë e para ishin anëtare të Komitetit Shqipnija e Lirë, ndërsa Blloku nuk bënte pjesë si parti. Udhëheqësit e Bllokut, Ismail Vërlaci e Ndue Gjomarkaj në Komitetin Kombëtar ishin pranuar si individ.
Familja e Hamit Perollit dhe ajo e ministrit Xhafer Deva në fillim u vendosën në Boston.

Gani Perolli, djali i imam Hamit Perollit, i cili edhe sot jeton në moshë të shtyer në Nju Xhersi, kujton se baba i tij Hamit Perolli, të dielave vishej bukur dhe bashkë me të shkonin për t’i përcjellë meshat e ish-kryeministrit shqiptar dhe eruditit të shquar, peshkop Fan S. Noli. Ganiu kujton se kur e pyesja babën pse shkonim në meshë, pasi i takonin fesë muslimane, baba i tij Hamiti thoshte:

– E kishim gjashtë muaj Kryeministër të Shqipërisë dhe meriton respekt…
Gani Perolli kujton se gjatë një bisede me Fan Nolin në vitin 1956, kur ky i fundit e pyeti pse u larguan nga Shqipëria mbas çlirimit?, – baba u përgjigj:

– Unë Hirësi, si edhe ti jemi njerëz të fesë, por kur atdheu ynë u pushtua nga Italia fashiste, vura Kur’anin në raft dhe mora pushkën në dorë për të çliruar atdheun.
Hamit Perolli vazhdoi bisedën me Fan Nolin dhe i tha:

– Kur komunistët morën Qeverinë me forcë, nisën të na persekutojnë neve që luftuam kundër okupatorit nazifashist. Kur komunistët shqiptarë u lidhën me komunistët jugosllavë, ne kundërshtuam këtë bashkëpunim, pasi udhëheqja komuniste shqiptare braktisi Kosovën dhe e la nën mëshirën e komunistëve jugosllavë.

Ish-kryeministri shqiptar dhe kryepeshkopi i Kishës Autoqefale shqiptare, Fan Noli për disa qaste qëndroi mendueshëm e tha:

– Ne nuk i disponojmë këto informata!

Hamit Perolli ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare nga një sulm në zemër më 3 janar të vitit 1987 në Shtetet e Bashkuara.

Në komunitetin shqiptaro-amerikan, mbahet mend si burrë me dinjitet, i cili gëzonte respekt të madh dhe asnjëherë nuk pushoi së kërkuari të drejtat për Kosovën. Edhe sot mbahet mend si luftëtar i paepur e unikat. Përveç që ishte patriot dhe besimtar i devotshëm, ai e dinte përmendësh edhe Lahutën e Malcisë së Gjergj Fishtës.

Foto: Imam Hamit Perolli në Itali në vitin 1955