Gliko gështenje e bërë në shtëpi

5 ditë më parë

Gliko gështenje e bërë në shtëpi

Ju ka rënë rasti të provoni gliko gështenjash? Shija e saj e mirë, e hollë, e rafinuar të bën kurioz për të mësuar si përgatitet ajo dhe akoma më shumë për ta pasur në shtëpi.

Për përgatitjen e glikosë së gështenjave, në radhë të parë duhet të që ato të jenë të një cilësie të lartë. Duhet t’i zgjidhni kokërr më kokërr dhe të siguroheni që të jenë të mëdha, të rrumbullakëta dhe të padëmtuara shkruan shije.al.

Përbërësit dhe përgatitja

Gjithçka që ju duhet për glikonë e gështenjave janë: 1 kg gështenja të mëdha, 500 gr sheqer dhe një shkop vaniljeje. Sigurohuni që gështenjat që bletë të jenë të mëdha dhe të një cilësie të mirë. Përgatitja e kësaj glikoje kërkon 4 ditë, duke përfshirë edhe kohën që i duhet për të pushuar:

Faza e parë i përket pastrimit të gështenjave nga lëkura: Bëni një kryq me majën e thikës në dy anët e gështenjave, por kujdes mos u dëmtoi tulin, prerja duhet të prekë vetëm lëkurën dhe cipën kafe të brendshme. Vendosni një tenxhere me ujë të ziejë dhe kur të vlojë hidhni ngadalë gështenjat. Lërini vetëm një minutë, më pas hiqini dhe zhvishini nga lëkura sapo të jeni në gjendje t’i mbani në dorë. Ky proces duhet bërë sa janë ende të nxehta gështenjat, pasi në rast se ftohen, bëhet shumë e vështirë për t’i zhveshur.

Faza e dytë është ajo e zierjes: Gështenjat e qëruara vendosini në një tenxhere të madhe dhe shtoni ujë të ftohtë derisa të mbulohen. Nga momenti që uji merr valë, lërini të ziejnë për 12 minuta. Më pas kullojini me një garuzhde me vrima.

Ka ardhur momenti i përgatitjes së shurupit: Në një tenxhere hidhni sheqerin me 300 gr ujë dhe shkopin e vaniljes; ziejeni për 5 minuta pa e trazuar. Shtoni gështenjat me kujdes brenda shurupit, llogarisni një minutë që nga koha e marrjes së valës, shuani zjarrin, vendosini kapakun tenxheres dhe lërini gështenjat të pushojnë për 24 orë. Ditën tjetër, përsërisni të njëjtin proces, gjithmonë në zjarr të ulët, llogarisni 1 minutë nga koha e vlimit të shurupit dhe lërini gështenjat edhe 24 orë të tjera.

Edhe ditën e tretë do të procedohet në të njëjtën mënyrë. Pasi të kenë kaluar 24 orë, ja ku erdhi dita e katërt. Kullojini gështenjat një nga një dhe lërini të thahen nga shurupi në një skarë (për shembull në skarën e furrës së sobës pa e ndezur atë) për 3 orë. Pastaj mund të shijoni gështenjat tuaja të karamelizuara. Nëse doni që gështenjat t’i ruani për një kohë të gjatë, lërini në shurupin e tyre.

Truke dhe sekrete

Nëse pas zierjes, nuk arrini dot t’ua hiqni lëkurën gështenjave, zhytini për disa sekonda në ujë të vluar, por jo në të njëjtin ujë ku i keni zier më parë, sepse rrezikoni të ngjyrosni tulin e gështenjave për shkak të taninës që ka lëshuar lëkura.
Një truk i rëndësishëm për sa i përket zierjes së parë të gështenjave: për t’i kontrolluar, pasi të kenë kaluar 12 minuta, bëni testin e kruajtëses së dhëmbëve. Ajo duhet të hyjë e të dalë lirshëm nga fruti. Nëse nuk ndodh kështu, lërini edhe një minut më tepër.
Gështenjat e kulluara nga shurpi mund t’i ruani deri në dy javë në frigorifer.
Nëse doni t’i ruani më gjatë, vendosini në vazo qelqi të mbuluara me shurupin e tyre.