“Gjenocidi i dytë kulturor në Shqipëri”: Shteti kundër Gjergji Thimos!

2 javë më parë

“Gjenocidi i dytë kulturor në Shqipëri”: Shteti kundër Gjergji Thimos!

Në Pazarin e Vjetër të Korçës mund të hasni një lokal me mbishkrimin “Bar Galeria”. Nga jashtë gjithçka duket e rëndomtë, nga brenda jo. Enterieri është i bukur dhe menjëherë të tërheqin pikturat dhe ikonat e varura, karriget e tavolinat e rënda prej druri të mbuluara me garnitura të bukura. Në një çast mendon se këtu nuk mund të pish kafe, se gjithçka është një ekspozitë për shitje. Por, kur afrohet një kamerier të të pyes se me çfarë mund të shërbejë, e kupton se je në vendin e duhur – në kafeteri. Kamerieri është një burrë në mesomoshë, fati i të cilit dëshmon çmendinë e politikës shqiptare.


Nga: Agron Shala

Është ky lokali ku punon Gjergji Thimo, mbase koleksionisti më i madh shqiptar. Ai rrjedh nga një familje e pasur korçare. Babai dhe gjyshi i tij që kishte jetuar edhe në SHBA, ishin koleksionistë të ikonave. Këtë rrugë e ndoqi edhe ai. Nga 700 ikona që mblodhën paraardhësit e tij, ai e shkriu pasurinë e trashëguar dhe të tijën për ta shtuar ndër vite fondin në mbi 3,000 objekte liturgjike – 2,200 nga të cilat ikona, që të gjitha këto të shekujve XIV-XIX.

Futbollisti i dikurshëm i Kombëtares së Shqipërisë, më 1996 hapi të parin muze ikonografik në tërë Evropën Juglindore (Muzeu i Artit dhe Kulturës Shqiptare). Në koleksionin e tij kishte punime të Onufrit, të David Selenicës, të Konstantin Shpatarakut, Vëllezërve Zografi, mësues Konstantinit, Vëllezërve Katro… Pra, kishte koleksionin e shkollës ikonografike origjinale shqiptare dhe unike në tërë artin post-bizantin. Për të gjitha këto kishte certifikatat e pronësisë. Nëse ndonjë ikonë që kishte blerë ishte në inventarin e ndonjë muzeu apo kishe, ai hiqte dorë nga ajo.

Si muzeolog dhe koleksionist i licencuar, Thimo ishte mbrojtës i trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai nuk lejoi të shiteshin ikonat në Greqi, Itali e gjetiu, por i kërkonte kudo dhe i blinte. Në vitet e turbullta e të rrezikshme të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, do të dalë në kufij, për të mos lejuar bartjen në shtet tjetër të kësaj trashëgimie.

Thimo kështu u shndërrua në një personalitet të njohur e të vlerësuar në Shqipëri. Por, bukurinë dhe sakralen e ikonave të tij nuk e mbante vetëm për vete, por e ndante me të tjetër, duke i ofruar për 23 ekspozita anekënd Shqipërisë – disa nga të cilat ishin organizuar nën patronatin e Edi Ramës si ministër Kulture. Vlera e koleksionit të tij – sipas Muzeu Britanik, atij të Luvrit, Pallatit Chigi, Universitetit të Koloradës dhe institucioneve e Shqipërisë – më 2013 ishte 63 milionë euro. Por, atë vit jeta e tij do të marrë një tatëpjetë të papritur.

“Tony Blair ishte këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Rama nuk donte ta paguante atë po t’ia jepte një ikonë timen, shumë të çmuar e shumë të shtrenjtë të Onufrit. E dërgoi Koço Kokëdhimën si ‘misionar’ tek unë”, thotë Thimo, i cili natyrisht se e refuzon këtë kërkesë. “Atëherë nisi lufta absurde kundër meje. Më shpallën trafikant ikonash, ma vodhën pasurinë. Nga mbi 3,000 objekte liturgjike thanë se kisha vetëm 465 ikona (p.sh. një nga ikonat e tij të vlefshme, e mjeshtrit të madh David Selenica, do të gjendet më vonë te shtëpia e Kokëdhimës). Nuk i evidencuan as katër kilogramë ar në monedha, që nga koha e Lekës së Madh. Dhe, më dënuan me katër vjet burg”.

Në tetorin e vitit 2013, Policia papritmas i bën kontroll pa mandat nga Prokuroria. Te koleksionisti i njohur thanë se po kërkojnë drogë! Por, futen dhe marrin ikonat e certifikuara nga vet shteti shqiptar. Akuza me të cilën do të ballafaqohet Thimo në gjykatë ishte “Trafikim i veprave të artit”. Pasi për këtë akuzë Prokuroria nuk gjeti dëshmi, atëherë ajo ndryshoi në “Vjedhje e veprave të artit në bashkëpunim”. I tëri procesi u zhvillua me shkelje dhe faktet për këtë padrejtësi janë të shumta.

Ajo që i ndodhi Thimos nga shumëkush u quajt Gjenocid Kulturor, i dyti në Shqipëri pas vitit 1967 dhe pas shpalljes së ateizmit në vend. Sepse, koleksionistët kudo vlerësohen, meqë promovojnë vlerat e madje cilësohen edhe si nxitës të zhvillimeve artistike.

“Por, mua ma shkatërruan familjen, pasurinë dhe shëndetin tim. Kam pësuar sulm në zemër. Kam dy bajpase”, thotë ai në lokalin që kishte marrë me qira, me ndihmën e një donacioni amerikan. “Këtë krim e bëri Edi Rama me ndihmën e Anastas Janullatosit, sepse unë e mbrojta traditën dhe trashëgiminë tonë shqiptare e nuk lejova të tjetërsohet nga asnjë shtet tjetër”.

Kur doli nga burgu, ishte pa shtëpi, pa grua, pa fëmijë, i varfër e pa asnjë të ardhur. Ai as në këtë mjerim nuk u la i qetë, sepse u sulmua dhe u rrah. I thanë të hesht… Për fatin e tij, të shumtë janë ata që ndjejnë keqardhje; të shumtë janë ata që vlerësojnë punën që bëri duke mbrojtur trashëgimin kulturore shqiptare… Për të njerëzit kanë fjalë të mira, që thuhen jo vetëm në tavolina kafenesh. Dhe, teksa dëgjon respektin e të tjerëve dhe padrejtësitë e tmerrshme nga vet goja e koleksionistit të madh, mahnitesh me forcën që ka Gjergji Thimo. Kjo rrjedh nga besimi i tij. Nëse dikush i lë ndonjë bakshish, e ndan në një qoshe pranë një ikone, që të mblidhen e t’ju dhurohen nevojtarëve. Sepse ka shpirt human e një kulturë të rrallë – tipike korçare. Ai beson në drejtësi, por atë e sheh larg Shqipërie – tek Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Pas analizave të duhura, Gjykata e Strasburgut ka marrë në shqyrtim rastin tim. Meqë pa fakte kjo gjykatë nuk merr përsipër asnjë rast, kjo që tani dëshmon se unë jam viktimë”, thotë ai teksa e jep këtë lajm të ri të mirë, dhe lëviz në një tavolinë tjetër për të shërbyer miqtë e klientët që futen në lokal. Por, kthehet sërish, sikur për të na qetësuar nga shqetësimi që krijoi fati i tij jetësor. “Unë nuk do të hesht, nuk do të dorëzohem dhe nuk do të tërhiqem kurrë nga e drejta ime. Drejtësia do të triumfojë. Mos u merakosni”. /Telegrafi/