1 vit më parë

Funerali i dhembshurisë dhe solidaritetit

Funerali i dhembshurisë dhe solidaritetit

Mijëra herë kam menduar, qindra herë kam debatuar, dhjetëra herë kam shkruar për mungesën e dhembshurisë në shoqërinë tonë, për krizën morale që po kalojmë, për shkretëtirën shpirtërore në të cilën momentalisht jemi duke jetuar dhe gjithmonë kam përdorur vetën e parë shumës, d.m.th. NE.

Duhet NE, sepse aty jemi të gjithë, pa përjashtim, të gjithë, edhe unë që kinse po shkruaj, edhe ti që kinse po lexon…NE, njerëzit pa dhembshuri, pa solidaritet, pa moral.

Dhe, kush jemi ne?

– Ne jemi ata që jemi rritur me “urtinë”: gjarpri që s’më han, rrnoftë 100 vjet;

– Ne jemi ata që jemi rritur me “urtinë”: mos e shti therrën n’kambën e shnoshë (dhe mos më thoni që jo!);

– Ne jemi ata që marrim dhe japim mito në çdo fazë të jetës sonë, për ta regjistruar në kopsht fëmijën, për ta regjistruar në shkollë të mesme, në fakultet dhe natyrisht për t’ia gjetur një punë:

– Ne jemi ata që i blejmë diplomat e shkollës, profilit, zanatit…të gjitha;

– Ne jemi ata që absolutisht në shumicën e rasteve nuk mund t’i dalim zot diplomës që kemi, edhe kur nuk e kemi blerë;

– Ne jemi ata që horë e bajmë shokun/shoqen/familjarin nëse vozit sipas (apo përafërsisht) rregullave të trafikut;

– Ne jemi ata që i kemi simpatizuar hajnat që kanë vjedhur larg – sidomos jashtë shtetit – dhe i kemi trajtuar si mafi, në kuptimin e mirë të fjalës (?!?!?!);

– Ne jemi ata që kur është vrarë Xhemajl Mustafa n’pikë dite dhe n’qendër qyteti, ne nuk i kemi parë vrasësit që janë arratisur para qindra qytetarëve;

– Ne jemi ata që, mbas lufte, kur kanë ardhur njerëz të paautorizuar e na i kanë marrur shokët/kolegët tanë – për të cilët e kemi ditur sigurt se janë të pastër si loti – pra, na i kanë marrur më së paku për t’i gjymtuar për jetë dhe më së shpeshti për t’i vrarë, ne nuk kemi reaguar, nuk e kemi thënë një fjalë, nuk kemi bërë as gëk e as mëk, hiç;

– Ne flasim gjithë ditën kundër korrupsionit, por nuk e humbim asnjë rast që ta korruptojmë dikënd për të ndrequr një punë, për ta nxjerrur një dokument, për ta anashkaluar atë fëmijën e sëmurë që po pret në korridoret e ftohta të mjekëve tanë kriminelë;

– Ne jemi ata që e kanë të mbushur jetën e vet plot me anomali, plot, ding, dhe – edhe unë, por edhe ti që po lexon këta rreshta – nuk e mbajmë mend kohën kur e kemi lajmëruar një anomali te organet e shtetit;

– Ne jemi ata që e kemi humbur kontaktin me natyrën, e kemi humbur lidhjen me Zotin (pavarësisht ceremonialitetit të neveritshëm që e tregojmë në publik ), dhe e kemi humbur krejt dhembshurinë dhe krejt solidaritetin për njëri tjetrin;

Atëherë, ju lutem, më tregoni, pse duhet të befasohemi apo pse bëhemi sikur befasohemi kur disa nga ne – që janë krejt sikur ne të tjerët – nuk ndalen t’i japin ndihmë atij qytetarit (tani të ndjerë), që po luftonte me jetën, para disa ditësh në një rrugë të Kosovës.

Në të vërtetë, pamja që tregon një qytetar duke vdekur në rrugë, shfaq edhe funeralin e dhembshurisë, solidaritetit dhe moralit të kësaj shoqnie.

Kjo vdekje moti është paralajmëruar, prandaj s’ka nevojë të befasohemi!

Hiç!