Dëshmitari: Njehsori ‘Kohler’ u aprovua në mënyrë të paligjshme

2 javë më parë

Dëshmitari: Njehsori ‘Kohler’ u aprovua në mënyrë të paligjshme

Në gjykimin për njehsorët e tipit “Kohler” në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Sefer Avdijaj.

Dëshmitari tha se nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ishte emëruar në mesin e tre anëtarëve të komisionit, i cili kishte për detyrë të shqyrtonte ankesën e kompanisë “Federal” nga Turqia, e cila kishte ardhur pas vendimit të drejtorit tashmë të ndjerit Blerim Sokoli që t’i suspendonte dy tipa të njehsorëve.

“Në institucionin e metrologjisë jam emëruar në cilësinë e ekspertit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Jemi emëruar tre ekspertë. Unë kam qenë kryetar i komisionit”, tha dëshmitari.

Në rastin konkret ai tha se si komision kanë pasur për detyrë që ta trajtonin dhe shqyrtonin ankesën të cilën e kishte bërë kompania “Federal” në lidhje me vendimin e drejtorit të Agjencisë të Metrologjisë Blerim Sokolit për shfuqizimin e tipit të njehsorëve AEL-TF.04, AL-TF.04-1.

“Kryeshefi i Agjencisë ka marrë vendim për suspendimin e dy tipave, kompania “Federal” ka bërë ankesë për këto dy suspendime. Për njehsorin AL-TF.04-1 kemi konstatuar se ka qenë e arsyeshme suspendimi ndërsa te pika dy nuk kemi parë asnjë arsye se pse është bërë suspendimi i njehsorit AEL-TF.04, nëse është për çështje të licencës ai është i suspenduar vetvetiu por ne s’e kemi parë asnjë arsye dhe asnjë dokument se për çka duhej të bëhej suspendimi i këtij njehsori” tha dëshmitari.

Në lidhje me suspendimin e njehsorit të tipit AEL-TF.04-1 dëshmitari deklaroi se komisioni kishte konstatuar se vendimi i drejtorit të Agjencisë së Metrologjisë Blerim Sokoli kishte qenë i drejtë.

“Pas shqyrtimit të ankesës kemi gjetur se Agjencia i ka suspendu dy tipa të njehsorëve dhe ne kemi konstatuar se suspendimi i tipit me AEL-TF.04-1 për ne si komision ka qenë në rregull sepse në bazë të testimit që është bërë në Institutin e Metrologjisë në Holandë ky njehsor ka pasur dështim në tri pika” tha ai.

Në dosjen të cilën e kishin shqyrtuar si komision dëshmitari tha se në lidhje me njësorin AEL-TF.04-1 atyre ju ishin prezantuar dokumente nga njësoret e tjerë dhe jo posaçërisht për tipin AEL-TF.04-1, kështu që në bazë të kësaj komisioni kishte konstatuar se Agjencia e Metrologjisë e kishte bërë aprovimin e këtij tipi të njehsorit me mjete të tjera matëse.

Për tipin e njehsorit AEL-TF.04-1 dëshmitari tha se edhe Instituti i Metrologjisë në Holandë kishte konstatuar se posedonte disa probleme.

“Unë i përmenda tri arsyet që i ka dhënë Instituti i Metrologjisë së Holandës dhe siç e thashë më herët variacioni i gabimit për shkak të harmonikëve, ndikimi i nxehjes apo temperaturës dhe përsëritja, d.m.th ky mjet matës nën ndikimin e temperaturave ekstreme, të larta apo të ulëta nuk mat mirë”, deklaroi dëshmitari.

Përfundimisht në lidhje me njehsorin AEL-TF.04-1 komisioni kishte konstatuar se ishte aprovuar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Ne kemi konstatuar se ky njehsor është aprovuar në mënyrë të jashtëligjshme sepse është aprovuar me dokumente të njehsorëve të tjerë”, deklaroi ish-anëtari i këtij komisioni Sefer Avdijaj.

Më pas mbrojtësi i Avni Alidemajt, avokati Besnik Berisha e pyeti dëshmitarin nëse në bazë të vendimit të komisionit është konstatuar se vendimi i të ndjerit Blerim Sokoli kishte qenë i drejtë.

“Me sa kuptova unë ju keni trajtuar një ankesë kundër vendimit të drejtorit të Metrologjisë të ndjerit Blerim Sokoli. Konstatimi i juaj ka qenë se ka qenë i ligjshëm apo jo?”, pyeti avokati.

“Për njërin njehsor ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm ndërsa për tjetrin jo. I ligjshëm ka qenë për AEL-TF.04-1 ndërsa i paligjshëm ose i paarsyeshëm ka qenë për AEL-TF.04”, u përgjigj dëshmitari.

Avokati Berisha dëshmitarin e pyeti edhe në lidhje me vendimin e komisionit të cilët kishin vendosur që të e pezullonin njehsorin e tipit AEL-TF.04, duke kërkuar nga ai të dinte se a ishte e njëjta gjë që kishte vendosur edhe i ndjeri Blerim Sokoli, i cili në vendimin e tij kishte vendosur që ky njehsor të suspendohej.

Në lidhje me vendimin e drejtorit dëshmitari tha se nuk është e njëjta gjë si suspendimi si pezullimi.

“A mundësh të na tregosh të lutem vendimi për pikën dy të ankesës lidhur me ankesën e operatorit prapë ka mbetur në fuqi por ju keni thënë se duhet të pezullohet, pra pasoja është e njëjtë, po pajtohemi se vendimi i kryeshefit prapë ka qenë i ligjshëm sepse pasojën e ka bërë të njëjtën”, e pyeti dëshmitarin avokati Besnik Berisha.

“Jo nuk ka qenë i ligjshëm sepse në kohën kur ne e kemi shqyrtuar ankesën e ka pasur të kaluar periudhën kohore te aprovimit të tipit”, u përgjigj dëshmitari.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Blerim Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë./kallxo.com