Deputetët e nisin sesionin pranveror me Demarkacionin

5 ditë më parë

Deputetët e nisin sesionin pranveror me Demarkacionin

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër fillon sesionin e ri me mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ku do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Takimi do të mbahet në ora 9:30, në sallën S-1.

Përndryshe, Kuvendi njoftoi se të hënën do të mbahet edhe mbledhja e kryesisë, por më vonë u njoftua se ajo do të mbahet të mërkurën.

Kjo mbledhje do t’i japë fund pushimit dimëror të Kuvendit dhe fillimit të sesionit pranveror të punës së legjislativit.

Marrëveshja për demarkacionin bashkë me raportin e Komisionit të ngarkuar për vlerësimin e kësaj marrëveshjeje ishin miratuar nga Qeveria e Kosovës muajin e kaluar.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në gusht të vitit 2015 por asnjëherë nuk ka dalë në votim para deputetëve për shkak të mungesës së mbështetjes parlamentare.

Për ta ratifikuar këtë marrëveshje kërkohet mbështetje e 80 nga 120 deputetët e Kuvendit.