Debutuesi 44-vjeçar

1 javë më parë

Debutuesi 44-vjeçar

Si çdo Botëror tjetër, edhe ai i vitit të ardhshëm pritet të sjellë gjëra interesante.Portieri egjiptian Essam El-Hadary, i cili ka debutuar me përfaqësuesen kur disa prej bashkëlojtarëve të tij ende nuk kishin lindur, pritet të bëhet lojtari më i vjetër në historinë e Kupës së Botës. El-Hadary do të debutojë në kompeticionin më të madh të futbollit në moshën 44-vjeçare.

Është gjithmonë diçka e veçantë kur një komb rikthehet në një kompeticion të madh sportiv pas një mungese të gjatë.

Njerëzit brenda dhe jashtë shtetit bashkohen, ashtu si në muajin e kaluar kur Mohamed Salah ia siguroi Egjiptit kualifikimin në Botëror pas fitores 2:1 ndaj Kongos.

Egjipti nuk ka qenë pjesë e Kupës së Botës që prej vitit 1990, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së talenteve në skuadër.

Ata kanë fituar katër herë Kupën e Kombeve të Afrikës gjatë kësaj mungese në Botëror, shkruan sot gazeta Zëri.

Egjipti është skuadra më e suksesshme në historinë e Kupës së Kombeve të Afrikës dhe kanë fituar tri herë radhazi këtë kompeticion në vitet 2006, 2008 dhe 2010, por “Pranvera Arabe” në vitin 2011 ndryshoi gjithçka.

Ata madje as nuk u kualifikuan tri herë në këtë kompeticion për shkak të revolucionit.

Gjatë këtyre viteve të triumfeve dhe katastrofave ka pasur shumë pak gjëra të qëndrueshme në futbollin egjiptian.

Trajnerët janë punësuar dhe janë shkarkuar, disa sezone janë përfunduar e disa jo dhe disa kompeticione janë fituar, humbur, apo nuk është marrë fare pjesë në to.

Por, aty gjithmonë ka qenë një njeri i gatshëm për sfidën e radhës. Ai njeri është portieri 44-vjeçar Essam El-Hadary.

El-Hadary bëri debutimin e tij ndërkombëtar në vitin 1996, kur disa prej bashkëlojtarëve të tij as nuk kishin lindur.

Ai ishte aty kur kombëtarja e tij dominoi Afrikën gjatë viteve të 2000-ta dhe kur perspektiva e tyre për sukses ishte shkatërruar pas disa vitesh.

Ai është paraqitur në 156 ndeshje për Egjiptin dhe ka fituar katër herë Kupën e Kombeve të Afrikës.

Tri herë është zgjedhur portieri i këtij turneu (2006, 2008 dhe 2010).

Pak më herët gjatë këtij viti, dy ditë pas ditëlindjes së tij të 44-të, ai u bë lojtari më i vjetër në historinë e Kupës së Kombeve.

El-Hadaryt nuk i ka mbetur edhe shumë kohë për të luajtur, por ai e di saktësisht se çfarë dëshiron të arrijë në kohën që i ka mbetur.

“Kam bërë pothuajse gjithçka në karrierën time futbollistike. Kam fituar 37 tituj dhe kam shijuar disa momente të paharrueshme, si fitorja ndaj Italisë në Kupën e Konfederatave 2009. E vetmja gjë që më mungon është paraqitje në Kupën e Botës”, kishte deklaruar më herët gjatë këtij viti ai. Kjo gjë tashmë është arritur. /Zëri/