Çmimi “FIDES 2017” i ndahet Post Mortum albanologut kanadez, Robert Elsie

2 javë më parë

Çmimi “FIDES 2017” i ndahet Post Mortum albanologut kanadez, Robert Elsie

Kryeministri, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “FIDES 2017” për Filantropinë në Kosovë, e cila organizohet nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ).

Ai  tha se ndihet i nderuar që gjendet në një mbrëmje ku promovohen, vlerësohen dhe falënderohen publikisht individ, biznese, organizata të shoqërisë civile, të rinj, gra, ambientalist për kontributin e tyre.

“Filantropia bashkëkohore shihet si strategji për të pasuruar kulturën e bamirësisë, me qëllim mobilizimin e drejtë të komuniteteve lokale, burimeve njerëzore e financiare. Të gjitha këto e krijojnë ekosistemin e vlerave të cilat i mbanë shoqëria jonë dhe të cilat “FIQ” kujdeset për t’i promovuar duke sjellë me afër njerëzit, institucionet dhe sektorët e zhvillimit në vend”, tha Haradinaj.

I ftuar të ndajë çmimin “FIDES 2017” Post Mortum për kontributin në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve nga Robert Elsie, albanologut kanadez i cili ndërroi jetë muajin e kaluar, kryeministri e ka cilësuar këtë si moment prekës për të.

“Është nder për mua si kryeministër, por edhe si shqiptar të nderoj me çmim një personalitet si Robert Elsie, i cili arriti ta njoh kombin tonë aq mirë dhe aq thellësisht. Robert Elsie, gjermano-kanadezi i cili iu përkushtua paraqitjes së tërësisë së artit, kulturës, fotografisë dhe historisë së shqiptarëve”, tha Haradinaj,  duke theksuar se e admiron atë për vendin ku pushojnë eshtrat e tij në Thethin e bukur shqiptar.

Çmimin e ndarë nga kryeministri Haradinaj për Robert Elsie, e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie. /AktivPress

Robert Elsie