Çfarë do të bëjë Europa me fëmijët e IS?

5 ditë më parë

Çfarë do të bëjë Europa me fëmijët e IS?

Organizata terroriste „Shteti Islamik” gati është eliminuar në Siri dhe Irak. Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, xhihadistët kanë humbur 98% të territorit të tyre të uzurpuar në të dyja vendet. Sipas vullnetit të ushtrisë siriane, irakiane dhe amerikane atyre do t’u merret edhe 2% territor i mbetur. Për të arritur këtë ushtria amerikane, sipas të dhënave të Pentagonit kreu një sërë fluturimesh nga 29 dhjetori deri në 5 janar –  avionë luftarakë, drone, raketa, artileri e rëndë.

Zëdhënësja e Pentagonit Dana W. White shprehet se IS-i vërtet është „mundur dhe shkatërruar”, por puna nuk ka marrë fund. Tani bëhet fjalë për sigurimin e territorit, që „IS të mos ringrihet më.” Por ky qëllim është i vështirë të realizohet. Vërtet IS mund të jetë shkatërruar në Irak e Siri, por ideologjia e tij vazhdon të jetojë.

Sipas Pentagonit, IS është një organizatë e krijuar jo për një kohë të caktuar, por përmes një sistemi të pavarur shpërndarjeje ai siguron kontinuitetin e tij. „Megjithëse IS me kalifatin e tij është shkatërruar, shohim në të gjithë botën ngjarje që lidhen me IS.”

Syrien Frau und Kind eines vermeintlichen IS Kämpfers in Rakka (Getty Images/AFP/B. Kilic)

Luftë kundër imazhit të IS

Prandaj tani bëhet fjalë për të luftuar imazhin e IS. Sipas vlerësimit të Pentagonit, shanset për këtë nuk janë të këqija. „Marka botërore IS” po humbet me rrënimin fizik edhe shkëlqimin e saj. Këtu bëjnë pjesë edhe historitë për jetën e tmerrshme nën sundimin e IS.” Por përfundimisht IS nuk është mundur. Organizata xhihadiste po kthehet në formën e luftës guerilase, bën të ditur televizioni Al-Jazeera. Vullnetarët përpiqen sërish t’u bashkohen radhëve të tyre, por kanë probleme që të hyjnë nga Turqia, për shkak të kufirit me Sirinë të siguruar ndërkohë.

Rrënojat në kokë

Por veç vullnetarëve që vijnë nga jashtë për t’iu bashkuar IS-it, autoritetet e sigurisë në Siri e Irak shohin edhe një problem tjetër – trashëgimia ideologjike e psikologjike e IS në zonën ku ka sunduar ai. Në shumicën e rajoneve, IS ka sunduar më pak se tre vjet, por për të rinjtë, tre vjet janë një kohë e gjatë, sidomos për fëmijët, që kanë përjetuar dhunën në moshë të vogël – si ekzekutimet publike të kryera me brutalitet të jashtëzakonshëm. „Edhe nëse ata nuk janë të trajnuar qëllimisht, ata mbajnë me vete kujtimet e luftës nga zona të tilla”, thotëDaan Weggemans nga Instituti për Sigurinë dhe Çështjet Globale në Universietin Leiden për revistën online, Al-monitor.

Gjeneratë e humbur

Të rinjtë në vend që të mësonin shkrim e lexim janë marrë me armë. „Ka gjasë që po rritet një gjeneratë e humbur”, thotë Nadim Houry, drejtor i projektit studimor Terror dhe Luftimi i Terrorit nga Human Rights Watch. Por edhe shumë të rritur kanë probleme të marra me vete në kohë e sundimit të IS-it.

Problemi me „gjeneratën e humbur” pritet të arrijë shpejt në Europë. Qindra fëmijë që u morën me vete nga prindërit e tyre në Siri dhe Irak apo ata kanë lindur atje. Ende shtetet europiane nuk kanë vendosur si do të veprojnë me këta fëmijë. Belgjika do të lejojë që fëmijët nën 10 vjeç të udhëtojnë automatikisht. Kusht është një provë ADN-je që vërteton se fëmijët janë vërtet nga ushtarët belgë të IS-it. Vitin e kaluar u morën me avion tre fëmijë të tillë me pasaportë franceze në Paris. Parimisht edhe në Holandë, fëmijët e luftëtarëve të IS-it mund të kthehen nga jashtë. Por qeveria holandeze nuk parashikon t’u japë atyre pasaportën holandeze.

Masa në Gjermani

Edhe Gjermania do të rimarrë fëmijët e luftëtarëve të IS-it. Por që tani Mbrojtja Kushtetuese gjermane paralajmëron nga rreziku që vjen sidomos nga fëmijët në adoleshencë. „Ne shohim rrezikun që fëmijët e xhihadistëve janë socializuar si islamistë dhe kthehen të indoktrinuar nga rajonet e luftës në Gjermani”, deklaroi presidenti autoritetit të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen.

„Me këtë mund të ndodhë që të rritet këtu një gjeneratë e re xhihadistësh.” Problemi duhet të zgjidhet para se autoritetet e sigurisë të bëhen aktivë, thotë Torsten Voß, drejtues i zyrës së landit të Hamburgut për Mbrojtjen Kushtetuese. Ende nuk dihet, se si do të veprojë konkretisht Gjermania. Politikanë për çështjet e politikës së jashtme të të gjitha partive janë duke menduar intensivisht për këtë. Por masat konkrete priten vetëm pas krijimit të qeverisë./DW