Blerta Zeqiri thyen tabutë, një film për homoseksualët

2 javë më parë

Blerta Zeqiri thyen tabutë, një film për homoseksualët

Premiera botërore e filmit “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit u dha këto ditë në Tallinn Black Nights Film Festival (PÖFF) në Estoni.

“Martesa” i Zeqiri flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, trekëndësh ky problematik dhe një diskutim më i thellë i tabuve të pranishme në plot shoqëri. Një çift është në prag të martesës. Bekimi do të martohet me Anitën! Secili prej tyre është duke u kujdesur për detajet e ceremonisë, por papritur vjen dikush dhe ngjarjet marrin tjetër rrjedh. Ai është Noli, i cili ka qenë i dashuri i Bekimit. Në film rolet kryesore interpretohen nga aktorët e njohur Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe këngëtari Genc Salihu.

Kjo tematikë në shoqërinë shqiptare vazhdon ende të jetë tabu. Prandaj regjisorja, që në fillim ka përzgjedhur artistë, të cilët janë mendjehapur, një zgjedhje me vend, e cila mesa duket e ka ndihmuar atë. “Aktorët në këtë film janë zgjedhur që të jenë njerëz, që janë shumë mendjehapur. Pak a shumë ka qenë mision i njëjtë për të gjithë atë çka kemi dashur të tregojmë”, tregon Zeqiri.

Zeqiri për këtë film ka marrë spunto nga ngjarje të vërteta, nga njerëz që janë gjendur në këto situata realisht. “‘Martesa’, është filmi im i parë me metrazh të gjatë. Filmi është bazuar në dy histori të vërteta të shokëve dhe shoqeve të mia. Kjo situatë ndodh dhe është shumë e shpeshtë, vetëm se ata që nuk duan ta shohin, duan që të mbyllin sytë. Ky është filmi i parë shqiptar me histori dashurie homoseksuale”, është shprehur për mediet regjisorja. Dëshira e saj është që të trajtojë jo vetëm një histori të thjeshtë dashurie, por ndoshta një Romeo e Zhuljetë të ditëve të sotme.

Blerta Zeqiri, ka punuar për realizimin e këtij filmi rreth 5 vite. Në rrëfimet e saj për të, e konsideron një punë e gjatë, shumë sfiduese, herë-herë dhe të lodhshme, por që është bërë gjithnjë me shumë dashuri e entuziazëm, sepse ka pasur një ekip të mrekullueshëm. Por a janë ata të përdaturi për zhurmën që mund të shkaktojë ky film? Zeqiri thotë se nga momenti që kanë filluar punën për këtë film, ata e kanë diskutuar se ky film mund të shkaktojë zhurmë. “Unë kam shumë dëshirë që filmi të shikohet dhe të hapë debat në shoqëri. Kohët e fundit kam parë shumë projekte artistike që kanë trajtuar këtë temë dhe nuk kanë shkaktuar skandale. E kam ndjenjën se ka ndodhur një lloj përparimi sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTIQ- natyrisht ende jo aq sa duhet – por mjaftueshëm sa projektet artistike të kuptohen dhe të trajtohen si të tilla”.

Pas premierës regjisorja Blerta Zeqiri është shprehur se është shumë e lumtur, që filmi u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe e pati një minutash të gjatë dhe shumë të mirë të pyetje-përgjigjeve pas filmit. “Martesa” ka qenë një prej tre filmave të rekomanduar në mediet estoneze.

Për Zeqirin çelësi i suksesit për këtë film, nuk është vetëm skenari i filmit, por edhe artistët Alban Ukaj dhe Adriana Matoshi, të cilët janë aktorë të përkryer. Kjo tashmë e konfirmuar nga kritika vendase dhe ajo ndërkombëtare, pasi të dy artistët njihen përtej kufijve shqipfolës. Ndërsa, performancat e këngëtarit Genc Salihu, si aktor, ajo i konsideron të mrekullueshme, sepse ai këndon, flet, imiton dhe luan, i bën të gjitha pa asnjë kompleks.

Filmi pritet të jepet premierë në fillim të muajit shkurt 2018 në Kosovë. Është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë me producent Keka Kreshnik Berisha dhe koproducent Eno Milkani.

Biografia

Blerta Zeqiri (1979) ka lindur në Suharekë. Filmin apo regjinë nuk e ka pasur ëndërr, që kur ka qenë e vogël. Në fillim krahas shkrimeve është marrë edhe me muzikë. Kështu shkruante edhe interpretote muzikë hip-hop. Kur erdhi koha e studimeve, nuk e dite ende se çfarë dëshironte të bënte.

Kishte dëshirë për regji, mirëpo disa nga profesorët e akademisë i shprehnin idenë se profesioni i regjisë nuk është profesion për femra: “Edhe sikur femra të jetë më e talentuara në provim pranues dhe gjatë studimeve, prapëseprapë një ditë ajo do të vendosë të martohet, të bëjë fëmijë dhe rezultati final është se ia ka zënë vendin një mashkulli, i cili realisht do të merret me atë profesion”, i thoshin ata. Kështu që vendosi të regjistrohet për dramaturgji.

“Në fund të fundit dramaturgjia ishte një e mesme mes shkrimit dhe këngës (dy pasioneve të mia), ishte shumë afër regjisë, sepse do të shkruaja tekste, të cilat do të viheshin në skenë”. Pas një kohe të shkurtër e kuptoi se shkrimet që bëja, ishin shumë të gjalla në kokën e saj dhe pastaj kur realizoheshin gjithnjë kishte pakënaqësi, sepse i kisha imagjinuar më ndryshe.

Kjo gjë u përsërit disa herë, derisa kuptova se duhej t’i realizoja vet tekstet e mia. I lashë studimet e dramaturgjisë në vitin e tretë dhe shkova në Francë, ku u regjistrova në fakultetin e regjisë”, është shprehur për “Shekulli”-n. Aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë, si regjisore me pjesëmarrje të shpeshtë në festivale ndërkombëtare të filmit, si: Sundance Film Festival, Oberhausen International Short Film Festival, Bradford Film Festival, etj. Është anëtare e Akademisë Europiane të Filmit. Në Festivalin e Filmit në Sundance filmi “Kthimi” është vlerësuar me çmimin, si filmi më i mirë ndërkombëtar.