Biznesi gjigand me turizmin mjekësor në Gjermani

3 muaj më parë

Biznesi gjigand me turizmin mjekësor në Gjermani

Më shumë se 1,2 miliardë euro të ardhura shtesë u sjellin çdo vit rreth 250.000 pacientët e huaj spitaleve gjermane. Eksperti i turizmit mjekësor Jens Juszczak flet për Deutsche Welle.

DW: Sa turistë mjekësorë vijnë çdo vit gjithsej në Gjermani?

Jens Juszczak: Çdo vit trajtohen në spitale ose në mënyrë ambulante midis 230.000 dhe 250.000 pacientë nga 177 vende në institucionet gjermane të shëndetësisë. Rreth 100.000 pacientë shtrohen në spitale.

A ka të dhëna që sa i madh është numri i atyre që nuk shkojnë rastësisht në një klinikë ose në një spital gjerman, por që e kanë planifikuar këtë vërtet dhe që vijnë qëllimisht për trajtim mjekësor në Gjermani?

Mjerisht nuk ka shifra të besueshme. Por sipas vlerësimeve 40 deri 45 përqind e atyre që vijnë, vijnë në mënyrë të planifikuar.

Medizintourismus in Bonn (DW/A. Rycicka)

Prej ku vijnë kryesisht pacientët?

Shumica e pacientëve vijnë nga shtetet tona fqinje, si Polonia, Holanda ose Franca. Para së gjithash pacientët në rajonet kufitare i përdorin mundësitë e trajtimit në botën e jashtme që e kanë pranë. Por ne kemi edhe shumë pacientë nga Rusia dhe shtete të tjera të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura dhe nga shtetet arabe të Gjirit. Para së gjithash nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Arabia Saudite dhe Kuvajti prej vitesh vijnë relativisht shumë pacientë nga Gjermania.

Çfarë do të thotë në aspektin ekonomik turizmi mjekësor? Për ç’shuma bëhet fjalë?

Sipas vlerësimeve tona, nga pacientët e huaj spitalet gjermane kanë më shumë se 1,2 miliardë euro të ardhura shtesë. Këto para janë para të ekonomive të tjera popullore dhe nuk vijnë nga një rishpërndarje e brendshme parash në Gjermani. Janë para shtesë, në dispozicion të sistemit tonë shëndetësor. Me këto para, spitalet mund të punësojnë personel shtesë, mund të blejnë aparate të reja dhe gjëra të ngjashme, gjë që sjell një dobi direkte edhe për pacientët gjermanë. Këtyre të ardhurave u shtohet edhe një shumë të paktën njësoj e lartë në fushën e industrisë turistike.

Medizintourismus in Bonn (DW/A. Rycicka)

A ka klinika apo ka qytete që janë veçanërisht të preferuara te pacientët e huaj?

Këto janë para së gjithash qytetet me klinika universitare si Mynihu, rajoni Këln-Bonn-Dyseldorf ose Berlini. Pika shumë të preferuara në këtë drejtim janë edhe rajoni Rhein-Main ose Hamburgu. Natyrisht nga pacientët e huaj përfitojnë edhe klinikat private.Veçanërisht kur atje kryhen masa rehabilitimi. Por ato që përfitojnë në radhë të parë janë klinikat universitare dhe klinikat e mëdha komunale, si p.sh. klinika universitare Freiburg ose Vivantes në Berlin.

(Jens Juszczak bën që prej 15 vjetësh kërkime në Shkollën e Lartë Bonn-Rhein-Sieg në fushën e turizmit mjekësor)