Berlini dëshiron ta promovojë Kosovën si një histori suksesi

2 javë më parë

Berlini dëshiron ta promovojë Kosovën si një histori suksesi

Ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, në një intervistë për DW, thotë se shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale, krijon përshtypjen se Kosova nuk u përmbahet detyrimeve ndërkombëtare.

DW: Në fund të vitit, konkretisht më 22 dhjetor e pamë një përpjekje të disa deputetëve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, kishte një reagim të ashpër nga vendet e QUINTit, sa do ta dëmtonte shfuqizimi i Speciales imazhin e Kosovës?

Christian Heldt: Kjo iniciativë nuk ka marrë fund ende. Ne që nga 22 dhjetori e kemi tërhequr vërejtjen në mënyrë të qartë që kjo përpjekje për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara do të kishte pasoja tejet negative. Pse? Në marrëdhëniet ndërkombëtare vlen thënia “Pacta sunt servanda”, që do të thotë duhen respektuar marrëveshjet, të cilat në shumë fusha e mundësojnë sigurinë ligjore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kosova është në rrugë për integrimin euro-atlantik. Në këtë rrafsh gjithsecili duhet t’iu përmbahet rregullave të lojës. Ligji është miratuar në vitin 2015. E di që kjo për shumë kë nuk është e lehtë, mirëpo ai nuk mund thjeshtë të zhbëhet disa vite më vonë. Kjo do të krijonte përshtypjen se Kosova nuk u përmbahet obligimeve ndërkombëtare, apo që i vë ato në pikëpyetje, që për procesin integrues ka ndikim tejet të dëmshëm në kryeqytetet e shteteve partnere. Këta partnerë kanë një qëllim: të çojnë Kosovën drejt integrimit euro-atlantik dhe kjo iniciativë do ta kthente Kosovën për vite prapa.

Në ketë çështje ka një angazhim të shtuar të Berlinit dhe Parsit, që Gjykata Speciale për krime lufte të mos zhbëhet. Të dy kryeqytetet dërguan emisarë të vetët në Kosovë. Ju ndonëse i përmendët disa arsye, megjithatë pse i gjithë ky shqetësim?

Franca dhe Gjermania janë pjesë e QUINT-it. Për këtë edhe vlejnë të njëjtat arsye që i përmenda. Ne në Paris dhe në Berlin e shohim veten si mbështetës të rëndësishëm të Kosovës brenda Bashkimit Europian. Ne e dimë që edhe në Bashkimin Europian ka shtete që edhe sot e kësaj dite nuk e njohin Kosovën. Ne duam që ta promovojmë Kosovën si një histori suksesi, kjo është arsyeja pse tendencat e tilla që e venë në pikëpyetje këtë histori suksesi na brengosin.

Kosova vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, nuk ka liberalizim të vizave, kriteri i demarkacionit si duket nuk do të kalojë në parlament për shkak të qëndrimeve të ndryshme politike. A ka ndonjë rrugë tjetër që Kosova ta fitojë liberalizimin e vizave, sepse në fund të fundit janë qytetarët ata që po e pësojnë, e jo liderët politik të cilët nuk po e ratifikojnë demarkacionin? Para disa ditësh Kryeministri deklaroi se barrën e mosliberalizimit po e bartin qytetarët dhe jo politikanët, të cilët nuk duan ta miratojnë marrëveshjen për demarkacionin nëpërmjet ligjit.

Këtë ne e shohim çdo ditë para ambasadës. Në praktikë, është fakt që ka edhe dy – dhe këtë dua ta nënvizoj – edhe dy kushte, ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultatet e prekshme (track record) në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë mbetur pa u plotësuar. Liberalizimi i vizave bëhet për Kosovën dhe ato dy kushte nuk mund t’i plotësojë BE-ja, por vetëm Qeveria e Kosovës. Kësisoj ne sigurisht jemi të vetëdijshëm që barrën po e bart popullata në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye apelojmë fuqishëm që këto dy kushte të plotësohen, në mënyrë që qytetarët e saj më në fund të mund të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Dhe për këtë nuk ka alternativë.

Analistë të ndryshëm politikë thonë se izolimi i qytetarëve të Kosovës, prodhon migrimin, se shumë qytetarë marrin rrugën ilegale për migreim. A pajtoheni ju me këtë konstatim?

Jo. Po ngatërrohen dy çështje të ndryshme. Migrimi i prek njerëzit, të cilët dëshirojnë të hapin perspektiva më të mira jetësore për vete, do të thotë kërkojnë rrethana të rregulluara ekonomike dhe ligjore. Këto rrethana janë kushte të drejtëpërdrejta jetësore, të cilat mund të garantohen edhe këtu në vend. Pra zhvillimi i perspektivave për njerëzit në vend, nuk duhet fare të ndërlidhet në mënyrë kauzale me izolimin.

Emigrimi i qytetarëve të Kosovës për në vendet perëndimore, kryesisht në Gjermani akoma po vazhdon, ndonëse me shifra shumë më të ulëta sesa ato të viteve të shkuara, gjegjësisht krahasuar me vitin 2015. Cilat janë gjasat / dhe kjo mbase do të ishte interesante për qytetarët e Kosovës të dëgjonin drejtëpërdrejtë nga Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë – që qytetarët e Kosovës të fitojnë azil në Gjermani?

Kujdes, sepse edhe këtu po ngatërrohen dy gjëra të ndryshme: migrimi dhe azili. Është fakt të shifrat kanë rënë në masë të madhe, sepse mundësitë për azil në Gjermani janë të barabarta me zero. Mirëpo e gjithë kjo nuk ka asgjë të bëjë me migrimin në kuptimin klasik të fjalës, psepse me këtë do të ktheheshim sërish tek aspektet ekonomike, të cilat i përmenda më herët.

E qartë. Dihet që arsyet e shumicës së kosovarëve për azil janë të natyrës ekonomike dhe poashtu që ata nuk mund të kërkojnë azil politik, për faktin se Gjermania e ka përfshirë Kosovën në listën e vendeve të sigurta. Shumë qytetarë të Kosovës megjithatë po tentojnë që nëpërmjet azilit, ani pse nuk ka arsye për azil politik, të qëndrojnë në Gjermani. Për këtë edhe një herë pyetja, a ka gjasë pranimi i tyre?

Edhe një herë: zero. Nuk ka azil për migrim që ndërlidhet me gjendjen ekonomike. Azili i jepet njerëzve të përndjekur politikisht dhe refugjatëve të luftës, të cilët gëzojnë një status të veçantë të mbrojtjes. Mandej qasja jonë nuk është që t’i zgjidhim problemet ekonomike të Kosovës duke iu mundësuar sa më shumë kosovarëve migrimin në Gjermani. Kjo nuk i zgjidh problemet këtu në vend. Kështu që mund vetëm ta theksoj edhe një herë, që azili nuk do të duhej të mendohej fare si opcion, sepse nëse një herë abuzohet me kërkesën për azil, atëherë ju mbyllen dyert e udhëtimit për në Gjermani për vite me radhë, qoftë edhe me qëllim të vizitës.

Shumë qytetarë të Kosovës tashmë në rrugë legale kanë fituar kontrata pune në Gjermani, por ata po ankohen për kohën e gjatë të pritjes për termin që të pajisen më vizë, pse e gjithë kjo kohë duhet për t’u pajisur me vizë në ambasadën gjermane këtu në Prishtinë?

Për fat të keq e njohim shumë mirë këtë problem. Ne vetëm në vitin e kaluar këtu kemi pasur një rritje të shqyrtimit të kërkesave prej rreth 20%. Duhet të merret parasysh që liberalizimi i vizave, i cili nuk ka ngjarë ende, edhe neve po na shkakton probleme të mëdha të kapaciteteve. Kjo për faktin se ne, krahas vizave afatgjate lëshojmë edhe viza turistike. Do të thotë, edhe për ne si ambasadë do të ishte një lehtësim që të bëjmë më shumë në kategoritë e tjera, në shërbim të qytetarëve të Kosovës, nëse liberalizimi i vizave për vizita turistike një ditë vërtetë do të bëhet realitet. Deri atëherë, ne thjeshtë do të mbetemi të varur nga kapacitetet tona fizike të kufizuara, përtej të cilave nuk mund të dalim.

Mandej, përpunimi i vizave afatgjata kërkon më shumë kohë, se sa i kërkesave për vizë turistike. Për fat të keq kemi konstatuar që po keqpërdoren edhe kontratat e punës, do të thotë ka gjithnjë e më shumë kontrata pune, të cilat nuk përputhen me faktet dhe pjesërisht janë të falsifikuara. Kështu që koha e shpenzuar për të shqyrtuar dokumentacionet e këtyre njerëzve të papërgjegjshëm po i bllokon kapacitetet tona, të cilat do të mund t’i shfrytëzonim për kërkesa të tjera. Me këtë rast unë vetëm mund të paralajmëroj ata që i shfrytëzojnë shërbimet e agjencive të caktuara, që gjithçka shqyrtohet me precizion dhe në fund ata që i bartin pasojat janë pikërisht ata që japin shumë para, duke shpresuar se do të nisin një marrëdhënie pune në Gjermani, por që në fund gjenden para një refuzimi

Dialogu me Serbinë, ka një ngecje në dialog. Sa mendoni se duhet kaluar në një fazë tjetër të dilaogut, apo, si duhet vepruar në këtë drejtim?

Ju e dini që ka një proces që udhëhiqet nga dy presidentët dhe që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë Mogerini. Për këtë arsye nuk më takon mua të jap këshilla të mira. Ajo çfarë mund të thuhet është ajo që edhe Komisioneri Hahn e ka nënvizuar duke marrë parasysh perspektivat përfundimtare të të gjitha vendeve të rajonit, që anëtarësimi në BE do të jetë vetëm atëherë i mundur, kur do të jenë zgjidhur të gjirtha çështjet ligjore statusore. Pra Bashkimi Europian nuk do të pranojë anëtarë të rinj, të cilët në këtë aspekt ende kanë çështje të hapura. Ky sigurisht do të jetë edhe një lajtmotiv i rëndësishëm për raundet e ardhshme të dialogut në mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse këtu herët a vonë do të duhet të njihet realiteti. Kur e them këtë kam në mendje situatën e qytetarëve të nacionalitetit serb të Republikës së Kosovës, sepse edhe meritojnë jo vetëm siguri ligjore, por edhe pjesëmarrje të barabartë në zhvillimet politiike dhe ekonomike në këtë vend.

Bashkimi Europian e publikoi të martën Strategjinë e re të Zgjerimit. Në të BE e ka përmendur vitin 2025 si vit të mundëshëm të anëtarësimit për Serbinë dhe Malin e Zi. Kosova në këtë drejtim ka ende para vetes një rrugë të gjatë. Në cilat fusha ka ngecur Kosova, sipas Jush?

Është e vërtetë që Kosova ka ende një rrugë të gjatë para vetes, krahasuar me vendet e rajonit. Kjo nuk është për t’u habitur, nëse e marrim parasysh që Kosova e ka filluar këtë proces më vonë. Në ndërkohë Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim është në fuqi nga viti 2016 dhe meqë herë – herë thuhet se Unioni Europian nuk po bëka sa duhet për Kosovën: ka qenë një punë e jashtëzakonshme e BE-së që ka mundur të arrijë një marrëveshje të tillë për Kosovën, si instrument shoqërues të aderimit, megjithë faktin se pesë shtete anëtare të saj nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. MSA-ja, së bashku me Agjendën për Reforma Europiane (ERA) janë dy instrumente të shkëlqyeshme për Kosovën, për të trasuar rrugën e integrimit europian në mënyrë substanciale. Dhe substanca është fjalë kyçe, sepse nuk bëhet fjalë këtu vetëm për të plotësuar diçka në letër, por për të implementuar „acquis” (legjislacionin) europian në legjislacionin e vendit dhe në punën konkrete të veprimeve të qeverisë. Dhe atë jo për t’i bërë një nder dikujt në Bruksel, por në radhë të parë për të përmirësuar perspektivën e njerëzve në vend, në rrugë për në Europë, me ç’rast kthehem sërish ku kisha filluar: qëllimi i të gjithë neve është të krijojmë perspektiva për të ardhmen për qytetarët e Kosovës.

Z. Ambasador në ç’nivel janë marrëdhëniet Gjermani-Kosovë, sipas kënvështrimit Tuaj tani pas disa muajsh të qëndrimit tuaj në Kosovë?

Jo vetëm qërkurse  jam unë këtu, por që nga fillimi ka ekzistuar një marrëdhënie shumë e ngushtë. Gjatë luftës në Kosovë ne kemi pranuar shumë refugjatë në Gjermani. Por edhe shumë para asaj kohe kanë jetuar dhe punuar shumë kosovarë. Edhe sot në Gjermani jeton diaspora më e madhe kosovare, e cila paraqet një urë lidhëse shumë gjallëruese në mes dy vendeve tona. Ne, nëpërmjet ushtrisë gjermane jemi angazhuar në luftë për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe që atëherë kemi investuar shumë në këtë vend. Me këtë nuk e kam parasysh vetëm investimin material, por kemi bërë para së gjithash punë me zemër. Kosova është një temë e rëndësishme në qarqet zyrtare politike të Berlinit, por edhe përtej tij, është temë e bartësve institucionalë gjermanë. Ne ndjehemi të lidhur me këtë vend dhe për këtë arsye jemi të përkushtuar për t‘i shoqëruar perspektivat e këtij vendi sa më ngushtë dhe në mënyrë sa më miqësore. Ne jemi mbështetës të parezervë të Kosovës në kontekstin ndërkombëtar dhe këtu në vend përpiqemi që brenda gjithë kontributit që japim përmes organizatave tona, të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur për mbështetur perspektivën në fjalë, dhe para së gjithash ta mbështesim gjeneratën e re që është rritur në Kosovë pas luftës, e cila dëshiron të jetojë në Kosovë.

Të gjithë këtë e ndjejmë në veçanti në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Meqë e përmendët edhe Ju – jemi në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, cili është mesazhi Juaj për qytetarët e vendit për këtë përvjetor?

Unë këtu kam takuar njerëz fantasikë, veçanërisht nga gjeneratat e reja. Këtyre njerëzve iu dëshiroj që ata të kenë mundësi të angazhohen profesionalisht për vendin e tyre në rrethana të rregullta ekonomike dhe ligjore; që ta ndjejnë vendin e tyre si një vend ku ia vlen të jetohet; që të marrin pjesë me vullnet në ndërtimin e mëtejmë të vendit. Unë kam besim absolut që këta njerëz ia dalin dhe do të dëshiroja që ne këtu, qeveria së bashku me partnerët ndërkombëtarë nesër t’i rrekemi punës fuqishëm për ta çuar këtë vend përpara drejt integrimit euro-atlantik.