Autostrada Durrës-Prishtinë-Nish të kalojë nga Medvegja

7 muaj më parë

Autostrada Durrës-Prishtinë-Nish të kalojë nga Medvegja

Muharrem Salihu, sipërmarrësi dhe themelues i Forumit Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi prej kohësh po udhëheq përpjekjet e grupeve të interesit që të rishikohet projekti i rrugës që do të lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, nga Nishi në Durrës, me qëllim që të mos lihen në harresë dhe në mjerim shqiptarët e Serbisë, veçanërisht ata të Medvegjës. Në një intervistë për gazetën ‘Shekulli”, Salihu jep edhe argumentet ekonomikë dhe social pse gjurma e rrugës duhet të kalojë nga Medvegja dhe jo nga Merdara.

AFEDS në bashkëpunim me një studio të njohur ndërkombëtare ka realizuar një projekt të ri, për autostradën Durrës- Prishtinë-Nish, me segment kalimi nga komuna e Medvegjës. Çfarë mund të na thoni për këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor? Cilat janë përpjekjet e AFEDS për të mundësuar realizimin e propozim-projektit tuaqj?

Përtej trajtimit politik të çështjes, problem merr karakter human dhe ekonomik. AFEDS është ideatori, promotori dhe lobuesi kryesor i ndërtimit të autostradës Durrës – Prishtinë-Nish, me një segment kalimi nga Medvegja. Ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme dhe funksionale, është hapi i parë themelor për zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies së popullatës, për frenimin e shpërnguljeve të shqiptarëve nga trojet autoktone dhe për përmirësimin e bashkekzistencës mes etnive të ndryshme në Medvegjë. AFEDS angazhohet të punojë dhe veprojë për rivitalizimin e jetës në tërësi dhe për përmirësimin e bashkëekzistencës së banorët të komunave Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, pavarësisht etnisë apo besimit të tyre fetar.

Zhvillimi i infrastrukturës është çelësi i zhvillimit ekonomik të tre komunave shqiptare: AFEDS prej viteshsh ka zhvilluar dhe po zhvillon një fushatë intensive lobuese në qarqe diplomatike, ekonomike dhe politike për miratimin e projektit të autostradës Durrës-Prishtinë-Nish, me një segment të kalimit nga Medvegja. Për këtë qëllim, AFEDS ka gjetur mbështetje të madhe te miq dhe dashamirës të shqiptarëve dhe te personalitete të ndryshme evropiane, që mbështesin financimin e projektit. Kjo mbështetje, është një mesazh konkret për vendimarrësit në Beograd, të cilët duhet ta shikojnë dhe vlerësojnë leverdinë ekonomike të projektit, larg paragjykimeve etnike. Ne jemi të hapur dhe të drejtëpërdrejtë në këtë çcështje. E them këtë, sepse në një kohë të afërt, do të jemi të pranishëm në diskutimin e problemit me përfaqësues të autoritetit të shtetit të Serbisë.

Cilat janë disa nga arsyet, që e bëjnë të nevojshme kalimin e autostradës nga Medvegja?

Faktorët kryesorë që e avantazhojnë realizimin e autostradës Durrës-Morinë-Nish, nga Medvegja dhe jo nga Merdara janë:

Faktori ekonomik: Ajo sjell një kosto e ulët ekonomike, ku 1/3 e gjatësisë më e shkurtër, 1/3 e kostos më të ulët, dhe për 1/3 e kohës më shpejt për t’u ndërtuar, në vlera financiare 40 km më pak, ose afër 400 milion €, që nënkupton një ekonomizim të konsiderueshëm për shtetet përkatëse. Projekti i propozuar ofron mundësi më të mira shpronësimi; efektivitet në investime. Pronat nga ku parashikohet të kalojë autostrada për në Medvegjë, janë toka djerë. Ndërsa për nga Merdara, janë prona me aktivitet privat dhe shpronësimi i tyre është më problematik. Projekti ofron nxitjen e zhvillimit ekonomik të komunës; rritjen e bashkëpunimit ekonomik të Medvegjës me komunat e tjera në Serbi dhe rajonin në tërësi.

Faktori Social: Denduria e popullsisë në Medvegjë është më e vogël, në krahasim me Merdarën. Projekti ynë realizon forcimin e bashkëekzistencës së komuniteteve të ndryshme etnike në Medvegjë. Ndërtimi i autostradës do të frenonte migrimin dhe zbrazjen e komunës nga banorët e saj.

Faktori Politik: Ju e dini tashmë që shqiptarët janë ndër etnitë më të diskriminuara në Serbi. Pra, një infrastrukturë e zhvilluar dhe bashkëkohore, është një e drejtë legjitime, që nuk mund t’i mohohet shqiptarëve. Projekti i ri do të hapë vende të reja pune; do të realizojë lidhjen e krahinës me krahinat e tjera në Serbi, si dhe me trevat shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri; do të sjellë shmangien e izolimit të krahinës nga pjesa tjetër e rajonit. Ndërtimi i autostradës është mundësia e vetme për të vazhduar, për të ekzistuar dhe për të jetuar në tokat autoktone të trashëguara nga paraardhësit e tyre.

Cilat janë pengesat që bllokojnë miratimin e këtij projekti madhor?

Pengesat do i klasifikoja në dy grupe, të dukshme dhe të padukshme. Përsa i përket grupit të parë, do të thoja se, ka shumë pengesa të karakterit burokratik, që do të thotë se, kur krijohet një projekt, e kanë të vështirë ta ndryshojnë rrugës. Vullneti politik për të tilla projekti është vendimtar për realizimin e tyre, pasi siç e shpreha edhe më lart, ne kemi të gjitha burimet e nevojshme financiare për të realizuar projektin. Vendimmarrja politike nga të gjithë partnerët për realizimin e projektit, duhet të jetë në kahun ku është dobishmëria ekonomikę më e madhe për vendin dhe popullatën e rajonit dhe në këtë projekt është kalimi i autostradës nga Medvegja dhe jo nga Merdara. Vendimmarrësit politik në këtë rast, ende nuk janë shprehur përfundimisht dhe koha është e rëndësishme. Ne jemi në pritje të propozimeve tona dhe nuk do të ndalemi deri në momentet e fundit. Ky projekt i prezantuar nga AFEDS-I, gëzon një përkrahje të gjerë në qarqe të ndryshme politike dhe sipërmarrëse dhe ne besojmë se, ai do të miratohet, pasi është projekti i duhur, në kohën dhe vendin e duhur.

Sipas jush, deri kur koha u premton që të merreni me realizimin e kësaj ideje?

Mendoj se ekonomitë e vendeve tona, nuk kanë kohë për të humbur, ndërsa realizimi sa më parë i këtij projekti, përkthehet në vlera të veçanta, konkrete dhe imediate ekonomike, duke kyçur vendin tonë në rrjetin e rrugëve ndërkombëtare. Në këtë segment nuk përjashtohet inters i lëvizjes së mallrave nga Bullgaria dhe Turqia. Ky projekt do të sjellë pa diskutim fluksin më të madh të komunikacionit ndërkombëtar, nga lindja në drejtim të portit të Durrësit, drejt perëndimit, duke u kthyer në një burim edhe për ekonominë shqiptare. Uroj që kjo përpjekje të mbështeten në kohë nga qeveritë respektive në Tiranë dhe Prishtinë.

Si lindi dhe çfarë përfaqëson Forumi Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi (AFEDS)?

Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi (AFEDS) është një organizatë joqeveritare me selinë në Bajë të Siarinës dhe lindi si nevojë e shqiptarëve, për të bashkuar burimet njerëzore, financiare dhe material, për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë në trevat shqiptare në Serbi. Në qendër të veprimtarisë së AFEDS është: bashkërendimi i veprimeve ekonomike mes shqiptarëve në Serbi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më gjerë; promovimi i vlerave, potencialeve dhe burimeve njerëzore, materiale dhe natyrore të komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë; afrimi i investitorëve të huaj për investime në tre këto komuna; unifikimi i punës me organizatat shqiptare në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, që ndajnë të njëjtin qëllim me AFEDS, për të rritur prezencën ndikuese në të mirë të shqiptarëve kudo ku ata banojnë; bashkëveprimi me institucionet qendrore dhe vendore në Serbi për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë në komunat: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, si dhe bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për realizimin e projekteve zhvillimore ekonomike në këto komuna.

Këto synime janë shumë interesante dhe shumë të ndjeshme për zhvillimin ekonomik të komunave shqiptare në Serbi, çfarë mesazhi do t’u përcillnit bashkëkombasve tuaj dhe klasës politike shqiptare me këtë rast?

Tashmë prej muajsh, AFEDS po bashkëpunon ngushtësisht me investitorë të rëndësishëm potencial, kryesishte nga Italia, të cilët janë të gatshëm të investojnë gjerësisht në të tre komunat shqiptare, si për hapjen e vendeve të reja të punës edhe në infrastrukturë. Ne tashmë zotërojmë burimet e nevojshme financiare për realizimin e projekteve tona të investimeve në Medvegjë. Por ajo ç’ka na nevojitet gjithnjë edhe më shumë, është ndihma nga dy shtetet shqiptare që të mbështesin dhe ndihmojnë më konkretisht shqiptarët që jetojnë në Serbi, t’i trajtojnë ata si autoktonë në tokat e tyre dhe të ushtrojnë influencën e duhur për të ndikuar në përmirësimin e jetesës së tyre. Ndërsa bashkëatedhetarët tanë në përgjithësi, i ftoi që të investojnë në Medvegjë dhe pamvaresisht nga origjina e tyre, ata duhet t’a ndiejnë këtë vend, sikur vendlindjen e tyre.

Këtu zyra jonë AFEDS, do t’i presë, ndihmoi dhe ofroi partneritet në rast se ata e ndiejnë si nevojë. Të investohet në vendlindje, nuk nënkupton domosdoshmërisht investime të konsiderueshme, ato munden me qenë edhe simbolike, por munden edhe në forma të bashkimit të kapitalit nga disa persona, apo edhe në forma tjera. AFEDS ka bërë apel të vazhdueshëm te të gjithë shqiptarët, banues në vende të ndryshe në Serbi, që të heqin dorë nga përcaktimet përçarëse krahinore si shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Bujanocit apo Medvegjës dhe të identifikohen si një bashkësi unike, si shqiptarë autokton në Serbi. Nuk ka arsye që ata të segmentohen dhe të ndahen mbi bazën e vendit të lindjes, qoftë zonë, qytetet, fshat apo mbi bazë besimi. Është koha për bashkim dhe për të punuar të gjithë si shqiptarë, për të mirën tonë të përbashkët, sepse gjendja e vështirë nuk pret më dhe koha nuk është në favorin tonë. Ky është një detyrim, që ne kemi sot për brezat e ardhshëm.

Shqiptarët e tre komunave shqiptare, të varfër dhe të nëpërkëmbur

Çfarë mund të na thoni për gjendjen e banorëve në tre komunat shqiptare në Serbi?

Problem më i rëndësishëm për ne shqiptarët në Serbi, është vazhdimësia e ekzistencës sonë në tokat që na kanë lënë trashëgim të parët tanë. Papunësia në nivele të larta, kushtet e vështira për jetesë, investime e ulta dhe lënia e këtyre territore pa plane zhvillimore nga qeveria qendrore, ka vështirësuar gjithnjë e më shumë jetesën e qytetarëve shqiptarë, duke i detyruar ata që në mënyrë të përvitshme, të braktisin trojet dhe banesat e tyre dhe të emigrojnë, si mundësia e vetme per të jetuar. Krahas problemeve të natyrave ekonomike, shqetësuese është edhe fakti se të drejtat themelore njerëzore të shqiptarëve në Serbi, kryesisht në Medvegjë, shkelen në mënyrë të vazhdueshme.

Të tjera problem madhore të shqiptarëve në Serbi janë edhe:

Politika e ç’regjistrimeve. Shteti serb në mënyrë konstante vazhdon ç’rregjistrimin e shqiptarëve nga regjistrat themeltar, gjë e cila pengon pajisjen e tyre me dokumentat identitare dhe humbjen e rezidencës në komunat shqiptare respektive. Kjo po sjell një dëm të madh në shpopullimin e trojeve tona nga shqiptarët, të cilët po detyrohen jashtë vullnetit të tyre, të shpërngulen në territore të tjera në Serbi dhe jashtë saj, vetëm për të mbijetuar.

Heqja e të drejtës së votës. Në zgjedhjet e fundit si parlamentare dhe vendore, shteti i Serbisë ka ndaluar hyrjen në kufi të shqiptarëve që jetojnë jashtë Serbisë dhe njëkohësisht, nuk i ka pajisur ata me dokumentat e nevojshëm për të ushtruar të drejtën e votës. Kjo sjell që shumë shqiptarë të mos votojnë, gjë e cila ka ulur ndjeshëm nivelin tonë të përfaqësimit në pushtetin vendor dhe qendror. E theksuar kjo u shfaq në zgjedhjet e fundit, ku shumë medvegjas u ndalën në kufi dhe nuk u lejuan të votojnë.

Politika e përçarjes në shumë parti. Mbi shqiptarët po ushtrohet një ndikim i vazhdueshëm, që të shpërndahen në sa më shumë parti të vogla. Kjo është evidente më shumë në Medvegjë, ku popullsia shqiptare autoktone është më e vogël. Pjesëmarrja e shqiptarëve në shumë parti, po sjell fragmetizimin e votës dhe dobësimin gjithnjë e më të madh të shqiptarëve. E dukshme kjo ishte në zgjedhjet e fundit lokale në Medvegjë.