6 milionë euro për furnizim me kompjuterë

2 javë më parë

6 milionë euro për furnizim me kompjuterë

Gjashtë milionë euro para të buxhetit të Kosovës do të shpenzohen në tre vjetët e ardhshme për furnizim me kompjuterë dhe pajisje tjera në tenderin e shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion ky i cili zhvillon prokurime të përbashkëta për të gjitha institucionet të cilat marrin para nga buxheti i shtetit.

Në njoftimin për kontratë, i cili është shpallur ditë më parë, thuhet se rreth 80 institucione të vendit duke përfshirë këtu ministritë, agjencitë e pavarura, Policinë, etj., do të blejnë 3843 kompjuterë, shtëpiza së bashku me tastierë, maus, 1337 llaptopë me çantë, 2633, USB, 64GB, 32GB, 235 projektorë së bashku me perde, 644 hard-disk të jashtëm, 1221 ram-memorie, si dhe 860 hard-disk për kompjuterë.

Në dosjen e tenderit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se të drejtë konkurrimi në këtë tender 6-milionësh kanë operatorët ekonomikë që duhet t’i ofrojnë dëshmi të kënaqshme Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) se qarkullimi vjetor i operatorit ekonomik gjatë tre vjetëve të fundit (2014, 2015, 2016) ka qenë në vlerë së bashku në të tria vjetët prej jo më pak se 1 milion euro.