105 vjet polici shqiptare

9 muaj më parë

105 vjet polici shqiptare

105 vjetori i krijimit të Policisë shqiptare ka qenë një rast që ajo të vihet në vëmendje të politikës.

Kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama tha me këtë rast se policia e sotme është shumë më ndryshe nga ajo e vitit 2013.

“Në vitin 2017, Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë kanabis. Janë shifrat më të ulta të vrasjeve, më të ulta edhe të një vendi të BE-së që flet shumë për krimin në Shqipëri” tha zoti Rama. Por kryeministri u shpreh se “Këto të dhëna nuk tregojnë se nuk ka drejtues policie të lidhur me kriminelë”.

Ai paralajmëroi se procesi i vettingut “… do të largojë të gjithë personat e inkriminuar në radhët e policisë si dhe të gjithë ata që nuk justifikojnë pasuritë e tyre”.

Por për kreun e opozitës Lulzim Basha ky 105-vjetor e gjen Policinë e Shtetit në momentin më tragjik të saj dhe të tradhtuar.

“Korrupsioni dhe lidhja e tij me krimin nuk nisi nga radhët e policisë, por nga koka politike e policisë. Nisi nga Saimir Tahiri dhe Haki Çako, kjo është tashmë katërcipërisht e provuar. Saimir Tahiri dhe Haki Çako janë dy hallka të sistemit kriminal që drejtohet nga Edi Rama dhe ku Fatmir Xhafaj ka lidhje dhe rolin e tij të padiskutueshëm. Pra, vetting-u nga Fatmir Xhafa, apo Edi Rama, apo kjo shumicë e bërë njësh me krimin, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Policia do të pastrohet kur qeverisja të pastrohet nga politikanët e lidhur me krimin”, tha Basha.